I riu nga Ferizaj, Bajram Hoxha ka një biografi mjaft mbresëlënëse. Ai ka qenë, veç tjerash pjesë e ekipit që konstruktoi njërin ndër superkompjuterët më të shpejtë në botë “Exxact Yoda GPU Cluster”. Për të tjerat, lexoni rrëfimin e tij.
Për ne shqiptarët, sa herë përmenden Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lindin menjëherë ato ndjenjat e respektit dhe dashurisë, si shenjë falënderimi për ndihmën dhe përkrahjen që ky shtet na dha në momentet më tragjike të popullit shqiptar.
Por për shumë të tjerë nga e mbarë bota, Amerika shihet si një „vend i ëndrrave“ apo „vend i mundësive“, në të cilin shumë nga ta, arrijnë të bëhen personalitete të famshme në botë, sigurisht, falë punës së tyre dhe mundësive që u ofrohen.
Bajram Hoxha ishte një i ri ferizajas, i apasionuar pas teknologjisë informative. Në periudhën e pasluftës në Kosovë, kur fillon edhe zhvillimi me të madhe i kësaj fushe, ai me ca miq të tij ishin mjaft aktivë në forumet e atëhershme në internet, ku diskutonin për tema të ndryshme nga kjo teknologji e re në vend. Më 2011, organizohet edhe konferenca për botën e Teknologjisë Informative (IT) në Ferizaj, Tech Days, ku Bajrami si 18 vjeçar, ishte protagonisti kryesor.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës me 2008, nuk kaloi edhe pa pasoja në fushën e tij, pasi që shumë faqe interneti të institucioneve kosovare u sulmuan nga hakerë serbë dhe rusë, përderisa Bajrami me disa shokë të tjerë, iu kundërvunë kësaj „lufte virtuale“, duke mposhtur sulmet dhe rifunksionalizuar faqet e sulmuara.
Pjesë e ekipit që konstruktoi njërin ndër superkompjuterët më të shpejtë në botë
Vetëm pas 4 muajsh që kishte filluar studimet për Shkenca kompjuterike në Prishtinë, ai fiton një bursë studimi për në Kaliforni të SHBA-së, që ishte një mundësi e artë për të. Pasi jetonte dhe studionte në Luginën e Silikonit (Silicon Valley) Bajrami i kishte më afër kompanitë për të cilat vetëm kishte dëgjuar gjatë diskutimeve në forume.
Gjatë studimeve ai mban edhe disa praktika shumë të rëndësishme për zhvillimin e tij profesional. Njëra ndër to ishte padyshim edhe ajo në kompaninë “iHear Medical”, kompani kjo që merret me përmirësimin e dëgjimit përmes teknologjisë. Bajrami po ashtu ka udhëhequr me platformën e “iHear Test”, e para në botë e bazuar në internet që bën testimin e funksionimit të veshëve.
Ndërsa pas punësimit në kompaninë “Exxact,” ishte pjesë e ekipit punues gjatë ndërtimit të “Exxact Yoda GPU Cluster”, që është një ndër superkompjuterët më të shpejtë në botë.
Në kompaninë tjetër “Nordic Naturals”, Bajrami ishte emëruar si inxhinier i lartë për Software, ku pos që ofronte zgjidhje për procese të ndërlikuara biznesi përmes softwerëve, ai po ashtu ishte edhe përgjegjës për shkollimin dhe ngritjen e gjeneratave të reja pranë kësaj kompanie.
Si rezultat i arritjeve dhe angazhimit të tij, më 2015 nga shteti amerikan i ofrohet viza e punës O-1 Extraordinary Visa, që llogaritet një lloj privilegji, e që u jepet vetëm personave me aftësi të jashtëzakonshme në lëmenjtë e tyre.
Folës në konferenca ndërkombëtare me peshë
Po ashtu ai ka qenë pjesëmarrës në shumë konferenca të ndryshme të kësaj fushe. Ndër to është edhe “Einstein AI, Deep Learning & SuperIntelligence Summit 2017”, në San Francisco, konferencë në të cilën ka qenë ndjëri ndër folësit, e ku ndër pjesëmarrësit përfshihen emra të njohur ekzekutivë nga kompani dhe organizata të njohura siç jane NASA, Tesla, Microsoft, BMW etj.
Bajrami, për kontributin e tij dhe për të arriturat, është shpërblyer dy herë radhazi edhe nga Shoqata më e vjetër shqiptare në Amerikë, nga “Vatra”
I interesuar për zgjerimin e dijeve, ai ndërkohë regjistron edhe nivelin Master për Sigurinë Virtuale (Cyber Security) në një ndër institucionet më të mira të kësaj fushe në botë, siç është Syracuse University, nga ku edhe merr një shpërblim të majmë për aktivitetet paraprake.
Duke mos e harruar SHBA-në dhe duke qenë pafundësisht falënderues për mundësitë e dhëna, Bajrami, për të qenë më afër familjes, zhvendoset në Zvicër, ku menjëherë kyqet në jetën profesionale, duke u bërë kështu pjesë e Swiss International Airlines.
“Vetëm ata që guxojnë të dështojnë shumë në jetë, mund të arrijnë shumë”, është kjo një thënie e preferuar e Bajramit, kur kujton rrugëtimin e tij deri këtu.
Përgjegjës për softuerin e kompanive gjigante të aviacionit si BOEING etj.
Si inxhinier i Performancës në Swiss Aviation Software, ai është përgjegjës për gjithçka rreth performancës të AMOS Software, program ky që përdoret nga kompanite më të njohura në botë në industrinë e aviacionit, siç janë BOEING, Lufthansa, SAS, ThomasCook, AirAsia, Fly Dubai etj.
Njëkohësisht ai themelon edhe kompaninë e tij Davos Networks që ofron shërbime për siguri të të dhënave për kompani dhe organizata të ndryshme.
Fakti që shumë nga kompanitë e mëdha botërore si Google, Facebook apo edhe Apple kanë bazat e tyre në Zvicër, për Bajramin, ka qenë edhe një motiv shtesë për tu shpërngulur në Zvicër. Pas ardhjes këtu ai hulumton dhe zbulon edhe përparësitë dhe dobësitë në krahasim me Amerikën.
“Zvicra, duke qenë një ndër vendet më inovative në botë, është edhe një vend mjaft i hapur për ndërmarrës të rinj, e ku nuk mungon as përkrahja e shtetit. Por po ashtu edhe bankat si dhe korporatat e shumta, apo edhe politika stabile, e bëjnë këtë vend mjaft atraktiv për të zhvilluar biznes” shprehet Bajrami rreth përparësive që ka Zvicra në krahasim me vendet e tjera.
Përderisa tregun e vogël dhe rregullat strikte të të bërit biznes, i konsideron si një të metë të vogël në këtë aspekt.
Duke qenë në dijeni për zhvillimin e hovshëm që ka teknologjia informative në Kosovë, Bajrami shprehet mjaft optimist që në të ardhmen do të mund të angazhojë ekspertë nga Kosova që të punojnë në kompaninë e tij, duke iu ofruar atyre një të ardhme dhe perspektivë më ndryshe.
Edhe pse edhe vetë mjaft i ri në moshë, ai megjithate inkurajon edhe te rinjtë, e sidomos ata në vendlindje që të bëhen pjesë e kësaj lëmie, ku merr si shembull një vend po ashtu te vogel si Estonia, e cila duke shndërrur fokusin e saj ekonomik në teknologjinë informative, ka arritur të bëhet ndër vendet më të avancuara teknologjikisht.
Bajrami po ashtu shpreson që me përvojën që një ditë, me përvojat e tij në SHBA dhe në Zvicër, të kontribuojë sado pak në zhvillimin e mëtutjeshëm të kësaj lëmie edhe në Kosovë.
Në ekipin për mbrojtjen nga hakerët serbë
Shpallja e pavarësisë së Kosovës me 2008, nuk kaloi edhe pa pasoja në fushën e tij, pasi që shumë faqe interneti të institucioneve kosovare u sulmuan nga hakerë serbë dhe rusë, përderisa Bajrami me disa shokë të tjerë, iu kundërvunë kësaj „lufte virtuale“, duke mposhtur sulmet dhe rifunksionalizuar faqet e sulmuara.
Zvicra, vend i shanseve
“Zvicra, duke qenë një ndër vendet më inovative në botë, është edhe një vend mjaft i hapur për ndërmarrës të rinj, e ku nuk mungon as përkrahja e shtetit. Por po ashtu edhe bankat si dhe korporatat e shumta, apo edhe politika stabile, e bëjnë këtë vend mjaft atraktiv për të zhvilluar biznes” shprehet Bajrami rreth përparësive që ka Zvicra në krahasim me vendet e tjera.