Gjykata e Ferizajt ka caktuar masën e paraburgimit ndaj B.G. dhe V.S., të cilët dyshohen për tetë raste të grabitjeve.
B.G. dhe V.S. dyshohet se për tetë herë radhazi nga muaji janar 2020 deri më 18 mars 2020, kanë kryer grabitje në disa pika të karburantit në territorin e komunës së Ferizajt, ashtu që në orët e vona të natës, të maskuar dhe me qëllim të përvetësimit të pasurisë së huaj të luajtshme, nën kërcënimin e përdorimit të forcës dhe kanosjes serioze dhe përdorimin e armës, kanë tentuar që të grabisin të mirat materiale.
Ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj. Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.
KALLXO.com ka raportuar dje se dy persona janë arrestuar në Ferizaj nën dyshimet se kanë kryer disa grabitje të armatosura.
Të arrestuarit sipas njoftimit janë B.G. 25 vjeçar, dhe V.S. 26 vjeçar dhe dyshohen për tetë raste të grabitjeve me armë në rajonin e Ferizajt dhe një rast grabitje me armë në rajonin e Prishtinës.
Lidhur me këto raste, hetuesit policorë kanë siguruar prova materiale të cilat janë gjetur me rastin e bastisjes së shtëpisë dhe objekteve tjera përcjellëse.
Në bastisje është gjetur 1 armë e gjatë AK-47, 1 karikator me 26 fishek,kal.7,62 mm, 1 pistoletë Zastava me një karikator me 22 fishekë 6,35 mm, 42 fishekë 9×19 mm, 1 thikë ushtarake, 1 palë pranga, dhe 1 sprej.
Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit,të njëjtit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.