33 pacientë të infektuar me koronavirus janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive në QKUK.
Sipas infektologut Arben Vishaj, shtatë pacientë janë në gjendje të rëndë, sidomos dy prej tyre.
Vishaj në një përgjigje për KOHËN ka thënë se të njëjtit kanë nevojë për oksigjeno-terapi.
“Aktualisht në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 33 pacientë, pre tyre 7 pacientë janë në gjendje më të rëndë shëndetësore tek të cilët ka nevojë për terapi mbështetëse me oksigjeno-terapi. Dy nga këta 7 pacientë kanë një gjendje më të rëndë se të tjerët”, ka thënë ai.
Vishaj tutje ka shtuar se pacientët e tjerë janë duke u trajtuar me protokollet e trajtimit të Klinikës dhe janë për momentin në gjendje stabile.
Janë bërë 16 ditë që nga konfirmimi i rasteve të para me koronavirus në Kosovë. Deri tash numri i të infektuarve ka shkuar në 88.
Komuna më e prekur është ajo e Malishevës me 32 raste, pastaj Gjilani me 15 raste, Prishtina me 11, Vitia me 7 të infektuar, Gjakova me 6, Vushtrria me 6 raste, Podujeva 3, Prizreni, Suhareka, Ferizaj, Shtime, Lipjani, Obiliqi, Klina e Peja me nga një rast.
Sipas IKSHPK-së nga 8 shkurti e deri më tani në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare janë testuar 991 mostra të dyshimta.
Ndërkaq deri të premten janë kontaktuar dhe janë në mbikëqyrje 1.749 raste të kontakteve.