Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Ferizajt, Bekim Ademi thotë se pas disa ditëve të vështira me raste të shumta të infektimeve me COVID-19, ky vend ka qetur pak qetësi.
Ademi në RTV Dukagjini thotë se në përgjithësi gjendja e pacientëve nga Ferizaj është e mirë me përjashtim të dy personave që janë të shtrirë në Klinikën Infektive e që sipas tij edhe ata qëndrojnë mirë me shëndet, përcjell Telegrafi.
Ai ka dhënë edhe një lajm fantastik sa i përket numrit të peronave nga kjo komunë që pritet të shërohen plotësisht nga infektimi i COVID-19.
“Në dy ditët e fundit nga mostrat që i kemi dërguar për ritestim, pra personat që kanë qenë me COVID-19 dhe që janë ritestuar, 57 persona kanë dalë negativ në testin e parë. Pra mund të themi që 57 persona janë të shëruar por në bazë të protokollit nevojitet edhe një test i dytë për t’u konfirmuar si të shëruar”.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Ferizajt thotë se kontaktet e mjekut të prekur me COVID-19 kanë dalë të gjithë negativ dhe sipas tij kjo jep shpresë se Ferizaj po e kalon coronavirusin.
“Mjeku nga Spitali i Ferizajt ka qenë personi i fundit që ka rezultuar pozitiv me COVID-19 në Komunën e Ferizajt”.
Kujtojmë Ferizaj është komuna më e prekur nga COVID-19 sa i përket numrit të përgjithshëm të infektuarve me 98 raste ku dy nga ta tashmë kanë ndërruar jetë.