Ministrja e Punëve të Jashtme në detyrë, Meliza Haradinaj-Stublla ka falënderuar Austrinë për gatishmërinë që t’i pranojë pacientët në gjendje të rëndë mjekësore për trajtim.
Haradinaj-Stublla falënderimin e ka shprehur me anë të ‘Twitter’-it, teksa ka thënë se Austria si gjithmonë, edhe kësaj radhe iu doli krah qytetarëve të Kosovës.
“Si gjithmonë, Austria iu doli në krah qytetarëve të Kosovës. Mirënjohëse, shkroi kryediplomatja në ‘Twitter’.
Përgjatë pasdites së të shtunës, Ministri i Shëndetësisë në detyrë, Armend Zemaj, ka njoftuar për dërgimin e tetë pacientëve të lënduar nga shpërthimi në Ferizaj për trajtim mjekësor në shtetin e Austrisë.
“E falënderoj ambasadorin austriak në Kosovë dhe ambasadorin e Kosovës në Austri, të cilët me përkushtim të madh, kanë kontribuar që të gjendet mundësia dhe përkrahja që sa më parë të nisen dy qytetarët e lënduar për trajtim”, deklaronte ndër të tjera ai.