Të enjten në qytetin e Ferizajt do të mbahet protestë kundër zhdukjes së qenve, ka njoftuar Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve. Kjo OJQ shkruan se Komuna e Ferizajt ka ndarë 89 mijë euro për t’i trajtuar 1.300 qen endacakë gjatë vitit të kaluar, ndërsa nuk ka pranuar të bashkëpunojë në monitorim.
“Komuna nuk ka pranuar bashkëpunimin me organizatën tonë dhe ka refuzuar kërkesën tonë për monitorim. Qysh në fillim të këtij projekti, kemi pranuar po ashtu nga aktivistë të shumtë në rajonin e Ferizaj, që qentë për të cilët ata kujdeseshin çdo ditë, po zhdukeshin dhe nuk ktheheshin më. Këtu lind dyshimi që qentë ose janë vrarë ose janë lëshuar në një vend tjetër shumë larg vendeve ku janë kapur. Që të dyja këto dyshime paraqesin veprime të kundërligjshme dhe këtë pikërisht dëshirojmë të kuptojmë nga Komuna e Ferizaj me anë të kësaj proteste”, thuhet në komunikatë.
Fondacioni shkruan se shqetësimet i kanë për tërë rajonin e Ferizajt, gjegjësisht komunën e Shtërpcës, Kaçanikut dhe Shtimes.
“Organizata jonë ka nisur edhe procedurat ligjore sa i përket dyshimeve për keqtrajtim të kafshëve, dhënies së ndihmës veterinare në mënyrë të pa ndërgjegjshme dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare nga zyrtarët e komunave në fjalë. Nga periudha 2017 deri 2021 janë raportuar nga komunat e sipërcaktura që janë trajtuar rreth 3277 qen në rajonin e Ferizaj dhe për këta qen dhe për fondet publike të shpenzuara, të gjithë akterët e përfshirë në këto projekte duhet të japin llogari. Ku janë 3277 qen dhe si janë shpenzuar në total 158,818.00 euro të qytetarëve të vendit tonë”, thuhet tutje./koha/