Në kuadër të gjykimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka nisur dëshmia e James Rubin, ish-zyrtar i lartë i administratës amerikane dhe një njohës i zhvillimeve në Kosovë gjatë viteve të luftës (1998–1999).
Rubin rrëfeu për herë të parë publikisht detaje personale dhe politike nga takimet me Thaçin në konferencën e Rambujesë në vitin 1999, si dhe për kontaktet me liderë të tjerë shqiptarë gjatë asaj kohe.
Rubin u ndal gjatë në përvojën e tij me Hashim Thaçin, për të cilin tha se kishte qenë një moment kyç kur u kuptua se ishte lider i delegacionit shqiptar dhe pjesë e UÇK-së.
“Nuk njihnim mirë strukturat e UÇK-së. Kur arritëm aty e kuptuam që udhëheqësi i delegacionit shqiptar ishte i inkuadruar në UÇK. Folëm për takimin me Thaçin në Rambuje. në kuadër të takimit ai më njohu menjëherë për shkak të TV. Albright më tha që të rrija me të, ta njihja Thaçin më mirë. Gjatë gjithë javës unë kam ndejtur me të, jena takuar, kemi pi kafe, çaj e cigare. Thaçi nuk fliste anglisht në këto rrethana ne komunikonim përmes gjuhës se trupit. Në nivel diplomatik ka pasur përkthyes”, tha ai.
Në sallën e gjykatës sot ishin të pranishëm edhe djali i Kadri Veselit, ambasadori i Kosovës në Holandë, Dren Doli, si dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nait Hasani.
Ndryshe, avokati i Hashim Thaçit, Pierre-Richard Prosper, ka deklaruar se ekipi i mbrojtjes është i entuziazmuar për këtë fazë të re të procesit, e cila, sipas tij, do të shërbejë për të ndriçuar të vërtetën historike mbi ngjarjet e vitit 1999 në Kosovë.
“Presidenti falënderon të gjithë për mbështetjen e këtij procesi. Ne jemi të entuziazmuar për sot. Do të na japë një mundësi që të kthehemi në realitet”, tha Prosper për mediat para seancës.