0 1 181 560x416 - Banorët e Mirosalës ankohen për shpërfillje nga komuna

Rruga kryesore e fshatit Mirosalë vazhdon të mbetet në gjendje të mjerueshme. Që nga hyrja në fshat e deri tek shkolla, shoferët detyrohen të kalojnë nëpër këtë rrugë tejet të dëmtuar, e cila është asfaltuar para më shumë se 30 viteve. Megjithë premtimet e secilës qeverisje, rregullimi i kësaj rruge rreth 2 kilometërshe, mbetet vetëm dëshirë për mirosalasit.

Banorët ankohen se pushteti lokal i ka lënë anash në të gjitha aspektet, përfshirë këtu kanalizimin e ujësjellësin, i cili edhe pse është i instaluar, asnjëherë nuk i furnizon me ujë banorët e kësaj ane.

 

“Rruga kryesore është shtruar në vitin 1988 dhe nga atëherë as ministria as komuna e Ferizajt nuk e kanë mbikqyrur, është i prerë asfalti në disa vende dhe nuk është asfaltu kurrë, në kohën e zgjedhjeve Muharrem Svarqa e ka nis me zgjeru, por sot e atë ditë ka mbetë ashtu, po ashtu edhe rruga brenda fshatit është e gjerë 2 metra që është rrezik për fëmijët që shkojnë në shkollë, ashtu jemi edhe me kanalizim, me ujësjellës, kurse me rrymë çdo herë që bie shi ose një erë me fry 40 orë jemi pa rrymë, nuk e di veç me u largu nga këtu krejt”,tha Bastri Bytyqi.

“Kjo rrugë është e dëmtuar tepër, ia patën fillu pak me zgjeru kinse e me asfaltu, por ka mbetur ashtu në gjysmë pasi u krytën zgjedhjet mbeti ashtu, edhe rruga brenda fshatit është shumë e ngushtë, nëse takohen dy vetura duhet njëra me u kthy prapa, rrugicat i patën asfaltu vitin e kaluar, por edhe ato kanë fillu me u dëmtu, nuk e dimë se çfarë po ndodhë”, tha Musli Bytyqi.

“Kjo rrugë është shumë keq, ka fjalë me u rregullu por nuk e di, e veturat po dëmtohen gati sa një regjistrim që e bëjmë aq po na bëhen dëmet që po na i shkakton kjo rrugë”, tha Hyzri Mahmuti.

Kurse, drejtori i Infrastrukturës Arbër Bytyqi, tha se për shkak të buxhetit të vogël, rruga kryesore e fshatit Mirosalë nuk do të rregullohet as këtë vit.

“Rruga e Mirosalës është projekt në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës në bashkëpunim me komunën e Ferizajt, për këtë vit jemi në vështirësi shumë të mëdha buxhetore, për pjesën e fshatit Mirosalë ne jemi duke biseduar me operatorin që e ka kontratën për atë pjesë dhe jemi duke e shtyrë përpara që të vazhdohen punimet në atë pjesë, por për shkak të mundësive shumë të vogla buxhetore është e pamundur që të filllojmë punimet këtë vit në atë zonë”, tha Bytyqi.

Banorët e fshatit Mirosalë u ankuan se investimet në këtë lokalitet që nga paslufta kanë qenë minimale, edhe pse në të jetojnë më shumë se 400 banorë.


www.foxshop-ks.com