Viteve të fundit noti po rritet në cilësi, po përmirësohet edhe koha e disa notarëve në disa disiplina! Ndër klubet që ka ambicie të mëdha pa dyshim është edhe Kastrioti i Ferizajt, që ka një staf jashtëzakonisht të mirë, me trajnerin Bashkim Haxhimusa.  Nënkryetarja e KN Kastriotit, Kimete Alidema, shprehet se është shqetësuese që edhe ato pak pishina që i kanë, janë jashtë standardeve ndërkombëtare.

“Bota sot”: Ju si nënkryetare e KN Kastrioti, si e sheh notin në përgjithësi, ka përparime apo duhet shumë punë?

Kimete Alidema: Si nënkryetare mendoj që krahas përpjekjeve të mëdha viteve të fundit ka përparim deri diku në zhvillimin e sportit të notit në Kosovë, posaçërisht në Ferizaj, por megjithatë unë konsideroj që duhet të mobilizohemi të gjithë duke filluar nga prindërit, kryesitë e klubeve, qeveritë komunale e deri te federata së bashku me qeverinë qendrore. Këtë fakt e jap duke parë shtetet e rajonit që kanë krijuar kushte infrastrukturore dhe financiare në zhvillimin dhe kualitetin e sportit të notit. Këtë paralele e nxorëm nga pjesëmarrja e notuesve tanë në turneun ndërkombëtarë “Mimosa Cup” në Igallo te Malit te Zi, si dhe në turneun ndërkombëtarë në Edirne të Turqisë.

“Bota sot”: A është shqetësuese që kemi pak pishina gjysmëolimpike?

Kimete Alidema: Po, është shumë shqetësuese sepse edhe ato pak pishina që i kemi janë jashtë standardeve ndërkombëtare, dhe kështu na pamundësohet të krijojmë kualitete për garuesit tanë, por po besoj se brenda një periudhe të shkurtër edhe Kosova do të punojë në rregullimin e infrastrukturës së notit respektivisht ndërtimit të pishinave, në mënyrë që edhe ne ti afrohemi standardeve ndërkombëtare dhe atëherë besoj që kualiteti dhe cilësia dhe rezultatet e notarëve tanë nuk do të mungojnë dhe do të jenë konkurrentë të denjë në rajon dhe më gjerë.

“Bota sot”: A mendoni se ndërtimi i pishinës në Ferizaj do të jetë një mundësi e mirë për zhvillimin e notit?

Kimete Alidema: Po, gjithsesi ndërtimi i pishinës në Ferizaj jo që do të zhvilloj sportin e notit në Ferizaj por në planin tonë zhvillimor do te bëjmë përpjekje që edhe komunat fqinje si Shtimja, Kaçaniku, Lipjani, Vitia, Shtërpca etj. do të insistojmë që të formohen klube të reja të notit dhe do t’u ofrojmë kushte për zhvillimin e sportit të notit, si dhe besoj se në një të ardhme të afërt Ferizaj do të bëhet një qendër e fuqishme e notit në Kosovë dhe regjion.

“Bota sot”: Rezultatet e fundit te KN Kastriotit, a janë inkurajuese dhe cilët nga notarët dhe notaret janë e ardhmja e vendit tonë?

Kimete Alidema: Klubi ynë për një kohë të shkurtër ka arritur që ti ketë 4 notarë në kombëtaren e Kosovës si: Atdhe Haxhimusa, Adea Alidema, Yll Halili dhe Dardan Vishi (tani në klubin Termopan) si dhe Erind Braha i cili është favorit në stilin bretkocë 200m , dhe një grup të notarëve të ri që janë shpresa të klubit të cilët në një të ardhme do ti mbrojnë ngjyrat kombëtare.

“Bota sot”: Rrjedh nga një familje sportistësh, çfarë ju preokupon më shumë në sportin e Kosovës?

Kimete Alidema: Po inspirimin për aktivizimin tim në kryesi e kam trashëgimi familjare si nga ana ime ashtu edhe nga ana e bashkëshortit tim dhe nuk do të ndalemi në përkrahjen dhe kontributin sidomos në sportin e notit i cili është një ndër sportet më të mira ku mund të citoj një thënie: “Noti është sport – shëndet, të gjitha tjerat janë lojëra” dhe për këtë kërkoj që sporti i notit të filloj nga mosha 6 – vjeçare në shkolla e deri te moshat e shtyra.

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Ferizaj24:

Përmbajtjet që i merr Ferizaj24 nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Ferizaj24 botohet në www.ferizaj24.info dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.