Brezi që e përjetoi triumfin e madh të qershorit të vitit 1999, është brezi më fatlum i historisë kombëtare të shqiptarëve, që pa fundin e dhembjes dy mijë vjeçare të Kosovës, nën thundrën brutale të robërisë.Kështu u tha sot në një akademi përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të Ferizajt në Teatrin e Qytetit “Adriana Abdullahu”.Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, tha se në këtë përvjetor jubilar, në emër të të gjithë qytetarëve të Ferizajt, ndihet i nderuar të nderojë kujtimin për sakrificën shekullore të popullit tonë.

“Luftëtarët tanë, atyre ditëve të trazuara, ngritën lartë flamurin, ku ishin shënuar amshueshmërisht emrat e heronjve të rënë, ku ishin skalitur plagët e luftëtarëve, dhe ku tashmë ishte shtrirë pakthyeshëm gjurma e pashlyeshme e prekjes së ëndrrës shekullore të lirisë e shtet-ndërtimit. SHBA-të, Britania e Madhe, Evropa Perëndimore e bashkuar dhe vende të ndryshme të botës, si asnjëherë në histori, u bënë tok për të qenë zëri i fuqishëm i thirrjes për mbrojtjen e një kombi të virtytshëm që po kërcënohej me zhdukje. Ndaj, miqve tanë të lirisë sonë, gjithnjë do t’u jemi mirënjohës”, tha kryetari Aliu.Të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua edhe kryetari i OVL- UÇK-së në Ferizaj, Rafiz Sejdiu, i cili tha se në këtë ditë të madhe për Ferizajn është rasti të përkujtojmë popullin shqiptar të Kosovës i cili në vazhdimësi ka luftuar kundër pushtuesve të huaj e në këtë proces populli i Ferizajt ishte aktiv në gjithë këto luftëra.“Në Ferizaj janë mbajtur shumë kuvende kombëtare, në procesin e organizimit të shumë luftërave për liri. Ferizaj ka qenë promotor i organizimit të protestave si në vitin 1968 po ashtu në vitin 1981 e në veçanti duhet theksuar protesta e vitit 1989 kundër ndryshimeve kushtetuese, protesta që në një mënyrë ngritën në këmbë tërë Kosovën. Në të gjitha këto protesta, kuvende, greva të punëtorëve, sikur e përgatiten popullin e Ferizajt për diçka më të madhe dhe ajo e madhja ndodhi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra lufta për të arritur deri këtu nuk ishte e shkurtër, por as e lehtë, popullit shqiptar të Kosovës iu deshtë afër një shekull rezistencë dhe sakrificë, luftëra herë të vogla herë të mëdha, por luftën populli shqiptar asnjëherë nuk e ndali dhe rezultatet e te gjitha këtyre luftërave është lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Sejdiu.

Nga ana tjetër ish Komandanti i Zonës Operative të Neredimes, Shukri Buja ka evokuar kujtime të 20 vite më parë, duke përkujtuar kështu edhe të gjitha ata që kontribuuan për lirinë e Kosovës dhe ata të cilët ranë për të mos vdekur kurrë.Shënimi i 20-vjetorit të çlirimit të Ferizajt, gjatë ditës së sotme, vijon edhe me koncertin festiv në Palestrën e Sporteve “Bill Clinton” duke filluar nga ora 20:00.

Ndryshe, Ferizaj, si mbarë Kosova, ditën e çlirimit, më 12 qershor, e priti me sakrifica të mëdha: qindra të vrarë e të plagosur, shumica e popullatës shqiptare e përzënë me dhunë nga shtëpitë, mijëra shtëpi e objekte publike të shkatërruara e djegura nga okupatori serb.

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Ferizaj24:

Përmbajtjet që i merr Ferizaj24 nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Ferizaj24 botohet në www.ferizaj24.info dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.