auto 158549365 3806519496128137 4687742940915878903 n16152204841 560x416 - Banorët e një lagjeje në Ferizaj të rrezikuar nga gjarpinjtë shkaku i deponisë së mbeturinave

Banorët e lagjes “Fehmi Agani” afër qendrës së qytetit të Ferizajt, prej disa muajsh po përballen me një deponi të mbeturinave dhe inerteve, e cila përveç kundërmimit po paraqet edhe rrezik, derisa aty tashmë janë shfaqur gjarpinj dhe insekte të ndryshme.

Komuna dhe kompania për menaxhimin e mbeturinave “Pastërtia” nuk po arrijnë ta pastrojnë atë, derisa kjo pronë është privat.

Banorët kërkojnë me urgjencë që kjo deponi të pastrohet me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të të gjithëve e në veçanti mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve të cilët vazhdimisht e frekuentojnë këtë rrugë. Në të kundërtën kanë paralajmëruar protestë para komunës.

“Jemi shumë afër qendrës dhe është shumë shqetësuese që kjo deponi është bërë në këtë parcelë. Ne nuk e dimë e kujt është kjo parcelë, por gjatë ditëve të fundit po shohim edhe gjarpinj dhe insekte të tjera të rrezikshme. Kërkojmë nga komuna që sa më shpejt të intervenojë për pastrimin e kësaj deponie. Ne do të protestojmë nëse komuna nuk intervenon për pastrimin e kësaj deponie”, ka thënë Besart Jashari, banor.

Banori tjetër Avni Hajdari, është ankuar se kjo deponi po paraqet rrezik për të gjithë.

“Të gjithë ata që e frekuentojnë këtë rrugë janë të rrezikuar. Këtu personalisht kam vërejtur se ka edhe gjarpinj. Këtu po grumbullohen edhe qentë endacak dhe rreziku veç po rritet. Shkaku i kundërmimit ne as dritaret nuk mund t’i hapim”, ka thënë ai.

Dukagjin Hetemi, drejtor i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj, ka deklaruar se gjatë kohës së fundit kanë pranuar disa ankesa dhe kërkesa nga qytetarët për pastrimin kësaj deponie të mbeturinave, mirëpo ka bërë me dije se nuk kanë të drejtë ligjore të intervenojnë në prona të tilla private. “Jemi njoftuar për atë deponi të mbeturinave dhe inerteve e cila po bëhet nga vetë banorët e asaj lagjeje, mirëpo ne si kompani nuk kemi të drejtë ta pastrojmë derisa është në pronë private. Në të kaluarën e kemi pastruar me një kërkesë nga komuna, por prapë është krijuar ajo deponi, kështu që nëse komuna e zgjidh këtë problem atëherë ne jemi të gatshëm të intervenojmë sërish”, ka thënë Hetemi.

Sipas tij, kompania e kryen shërbimin e rregullt të mbeturinave në këtë lagje, mirëpo qytetarët nuk e respektojnë orarin e ekipit për hedhjen e mbeturinave.

“Një pjesë e banorëve të kësaj lagjeje nuk i kryejnë fare obligimet ndaj kompanisë për shërbimin e mbeturinave, andaj ndoshta edhe kjo është njëra prej arsyeve që kjo deponi po krijohet aty në mes të shtëpive. Sidoqoftë ne gjatë ditës do të bisedojmë edhe një herë me komunën për ta pastruar atë deponi, për hir të qytetarëve dhe taksapagueve ndaj kompanisë”, ka thënë Hetemi.

KOHA ka kontaktuar me drejtorin e Shërbimeve Publike në Komunën e Ferizajt Arben Halili, i cili është zotuar se së shpejti do të pastrohet kjo deponi megjithëse pronari i parcelës private ende nuk është identifikuar.

“Si komunë jemi duke e bërë identifikimin e të gjitha deponive ilegale dhe të ngurta në qytet dhe në fshatra. Në të kaluarën kemi pasur dy raste kur deponitë janë krijuar në prona private dhe kemi pasur vështirësi, sepse si komunë nuk kemi të drejtë të intervenojmë në prona private pa e gjetur pronarin e saj. Edhe në rastin e lagjes ‘Fehmi Agani’ jemi duke e identifikuar pronarin i cili nuk gjendet këndej, prandaj besoj se shumë shpejt do ta bëjmë një zgjidhje dhe ta pastrojmë atë deponi pasi që banorët kanë shprehur shqetësime se janë të rrezikuar edhe nga gjarpinjtë”, ka thënë Halili.

Sipas tij, komuna për çdo vjet arrin marrëveshje me kompaninë KRM “Pastërtia” për pastrimin e të gjitha deponive pa leje në territorin e komunës, andaj së shpejti do të nisë edhe një aksion i tillë në disa fshatra dhe lagje të qytetit.

“Në të kaluarën identifikimin e deponive pa leje e kemi bërë së bashku me GIZ-in gjerman, mirëpo tash jemi duke e bërë vetë së bashku me inspektorët komunalë. Po besoj se shumë shpejt do të fillojmë me pastrimin e këtyre deponive dhe si komunë në rastin e lagjes ‘Fehmi Agani’ do të mundohemi të vendosim masa mbrojtëse për parandalimin e grumbullimit të mbeturinave”, është zotuar Halili.

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Ferizaj24:

Përmbajtjet që i merr Ferizaj24 nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Ferizaj24 botohet në www.ferizaj24.info dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.