w 560x416 - Disa fshatra të Ferizajt me vite po kanë probleme me energji elektrike

Prej vitesh banorët e fshatrave Sojevë, Dardani, Mirosalë, Zllatar dhe Bibaj të Komunës së Ferizajt po përballen me ndërprerje të shpeshta dhe cilësi të dobët të energjisë elektrike si pasojë e vjetërsisë së shtyllave.

Deri tash kërkesat e tyre nuk janë shqyrtuar nga KEDS-i, ndërkaq banorët shpeshherë po rrezikohen derisa telat e rrymës po bien në rrugë, mbi shtëpi të banimit dhe së fundi kanë rënë në oborrin e shkollës “4 Prilli” në fshatin Zllatar.

Kjo ka shtyrë banorët e fshatit Zllatar të dorëzojnë edhe një peticion me mbi 100 nënshkrime në KEDS-s, por edhe në Prokurorinë Themelore të Ferizajt.

Xhevat Sallahu, përfaqësues i fshatit Zllatar, ka kërkuar mbështetje nga organet e drejtësisë derisa KEDS-i nuk po i shqyrton kërkesat e tyre për riparim të rrjetit. Sipas tij, me telashe të mëdha po përballen edhe bizneset afariste në këto lokalitete.

Edhe banori tjetër, Fisnik Kurti, ka thënë se shtatë familje janë të kyçura në një kabllo të energjisë elektrike, e cila nuk i përballon pajisjet e amvisërisë.

Me gjendje më të rëndë po përballen fabrikat prodhuese dhe bizneset e mëdha në këto lokalitete të Komunës së Ferizajt, që pretendojnë se kanë dëme në mijëra euro, sa herë u ndërpritet energjia elektrike.

Në anën tjetër, Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it, nëpërmjet një përgjigje me shkrim ka thënë se KEDS-i ka pranuar një kërkesë nga konsumatorët në fjalë, dhe se janë duke e analizuar situatën atje.

“Sigurisht nëse ndonjë pjesë paraqet rrezik, do të intervenohet menjëherë dhe do të eliminohet”, ka thënë Buzhala, duke shtuar se janë duke investuar në përmirësime në rrjet në mbarë vendin.

Ndërkaq, Shukri Jashari, kryeprokuror në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, nëpërmjet telefonit ka thënë se do ta shqyrtojnë me urgjencë shkresën e banorëve të këtyre lokaliteteve ashtu siç po i shqyrtojnë të gjitha kërkesat dhe ankesat e të gjithë qytetarëve të Komunës së Ferizajt me rrethinë.

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Ferizaj24:

Përmbajtjet që i merr Ferizaj24 nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Ferizaj24 botohet në www.ferizaj24.info dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.