jeton zeqiri 695x3101 1 560x310 - Ferizaj: Nga 100 të infektuar me COVID-19, 93 të shëruar

Komuna e Ferizajt ka numrin më të madh të të infektuarve me COVID-19 në Kosovë.

Në këtë komunë në total janë të infektuar 100 persona dhe 93 prej tyre janë shëruar, dy kanë vdekur dhe pesë të tjerë janë të infektuar aktivë.

“93 të shëruar, dy të vdekur dhe pesë pozitivë janë në Ferizaj”, konfirmoi për KALLXO.com drejtori i Spitalit Rajonal të Ferizajt, Jeton Zeqiri.

Ai tutje potencoi se sot janë testuar 12 persona dhe të gjithë kanë dalë negativë.

Ndërsa, nesër do të testohen gjashtë persona të tjerë, ku pesë prej tyre janë raste kontakti me personin e fundit të infektuar në këtë komunë dhe një ritestim.

“Sot janë testuar 12 raste dhe të gjithë kanë dalë negativë. Nesër do të testohen gjashtë persona, pesë janë raste të kontaktit dhe një ritestim i parë”, u shpreh Zeqiri.

Dje në këtë komunë pozitivë ka rezultuar vetëm një person, në fshatin Talinoc i Jerlive.

Ndërsa, sonte nga kjo komunë nuk ka rezultuar asnjë rast pozitiv.

Instituti Kombëtarë i Shëndetit Publik sonte bëri të ditur se nga 255 mostra të marra, pozitivë me COVID-19 kanë rezultuar tetë persona.

Katër raste në Rahovec, dy raste në Mitrovicë dhe dy në Vushtrri.

Në nivel vendi janë 927 të infektuar, 671 të shëruar dhe 29 të vdekur.