Loading...

Janë mbi 30 mijë emra rrugësh e lokacionesh të ndryshme të Londrës që Gëzim Ramadani është dashur t’i mësonte përmendësh për t’i kaluar testet e pesë fazave të studimit, para se t’i jepej e drejta për t’i dhënë taksisë së tij edhe nëpër shiritin e ndarë për autobusët e trafikut urban.

Prej vitit 2015, Ramadani është njëri prej rreth tridhjetë shqiptarëve të vetëpunësuar me makinat e tyre të famshme të zeza të Londrës.

“Ama, këqyre, nuk jam vetëm unë, se ka edhe shumë shqiptarë, shokë të mi, që e bëjnë këtë punë. Edhe ata kanë kaluar nëpër të njëjtin proces të studimit për të marrë bexhin”, thotë Ramadani, në njërën prej kafeneve në një qendër tregtare me emër anglez në vendin ku dikur ndodhej Kombinati i Drurit në Ferizaj

Hartën në kokë

Ramadani prej fundvitit 2012 deri në verën e 2015-s u shtrëngua të punonte vetëm dy ditë në javë, me qëllim që t’i mësonte emrat dhe lokacionet në një diametër prej rreth 19 kilometrash. Madje bleu një motoçikletë, me qëllim që t’ia lehtësonte vetes punën përgjatë rrugëve të stërngarkuara të kryeqendrës financiare të Evropës.

“Kur i sheh, i memorizon më mirë, sepse ish interesant se si po i ndante gjërat dhe se si po funksiononte truri”, thekson Ramadani. “Është studim i rrugëve të Londrës. Janë teste që udhët me i kalu patjetër për me mbërri në fazën për me marrë bexhin. Bexhi është faktikisht një sen që e fiton si diplomë, nuk është kurs, sepse është si diplomë që jepet prej shtetit. Studimi e ka emrin ‘Knowledge of London’”, apo testi i njohurive për Londrën.

“Dhe, realisht i bie se ky e njeh Londrën në gishta”, thotë vëllai i Gëzimit, Ardian Ramadani, i cili jeton në Belgjikë.

“Është një punë që anglezët e respektojnë shumë. Anglezët të respektojnë shumë, sepse e dinë se nuk është e lehtë me i mësu rreth tridhjetë mijë rrugë”, thotë Gëzim Ramadani.

Në shkrimin e gazetës britanike “The Sun”, se “pse testi i taksistëve për shoferët e taksive të zeza është aq i vështirë”, thuhet se “The Knowledge” është një seri testesh të cilat duhet t’i kalojnë para se të marrin licencën. Prej këtyre rrugëve, 320 njihen si rrugë boshte.

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Ferizaj24:

Loading...



Përmbajtjet që i merr Ferizaj24 nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Ferizaj24 botohet në www.ferizaj24.info dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.