Capture 1 770x4501 560x416 - Haradinaj premtoi zgjidhje për protestuesit në Ferizaj

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së sotme ka vizituar vendin ku po mbahej protesta e organizuar nga banorët e fshatrave Bablak, Lubovc, Tërn, Koshare dhe Slivovë të Komunës së Ferizajt, me të cilët bashkëbisedoi për t’i dhënë zgjidhje kërkesës së tyre për ndërtimin e rrugës që i lidh fshatrat e tyre me magjistralen e Ferizajt dhe atë të Shtimes.

Kryeministri Haradinaj, me këtë rast premtoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që t’u krijojë lehtësira të gjithë banorëve të këtyre fshatrave dhe qasje në rrugët magjistrale.

Duke parë nga afër gjendjen në të cilën ndodhen këto rrugë, e sidomos, pas vërshimeve të fundit të cilat i kanë dëmtuar në masë të konsideruar rrugët e këtyre fshatrave, kryeministri Haradinaj theksoi gatishmërinë e qeverisë që të gjendet një zgjidhje sa më e shpejt për banorët e këtyre fshatrave.

“Po punojmë që të gjendet një mënyrë sa më e shpejtë për të kaluar të gjitha etapat që kanë mbetur. Ne nuk ndërhyjmë në punën e institucioneve të pavarura, por besoj se të gjithë janë të vetëdijshëm që të hiqen pengesat për të filluar me ndërtimin e rrugës”, tha kryeministri Haradinaj.

Më tej, kryeministri Haradinaj i siguroi banorët se Qeveria do të marrë përsipër që të kryej punët e mbetura në ndërtimin e rrugës që i lidh këto fshatra me rrugët magjistrale.

“Sigurt e keni se ne do të interesohemi për ndërtimin e rrugëve. Jam thellë i bindur se do ta gjejmë një mënyrë për t’i dhënë prioritet kësaj çështje, në mënyrë që të fillojnë punimet”, u shpreh kryeministri Haradinaj.

Zëvendësministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Xhavit Zariqi, tha se qeveria është e interesuar që kjo punë të përmbyllet sa më parë, duke siguruar banorët e fshatrave të Ferizajt se punimet në ndërtimin e rrugës do të fillojnë sa më shpejt, në mënyrë që i tërë projekti të përmbyllet në afat kohor.

Ndryshe kjo protestë është organizuar nga deputeti i Kuvendit të Kosoës, Labinot Tahiri. Ai dje përmes rrjeteve sociale ka ftuar qytetarët për të protestuar për ndërtimin e kësaj rruge që sipas tij është premtuar që 18 vjet nga qeveritë e Kosovës.

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Ferizaj24:

Përmbajtjet që i merr Ferizaj24 nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Ferizaj24 botohet në www.ferizaj24.info dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.