prokuroria themelore ne ferizaj 1 1000x500 11 560x416 - Kërkohet paraburgim ndaj dy personave për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, “Marrje dhe Dhënie ryshfeti” dhe “Kontrabandim me mallra”

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ndaj dy (2) personave, të pandehurit B.K., zyrtar doganor në Han të Elezit dhe L.S., teknik i farmacisë, të cilët gjenden në ndalim nga data 18 Maj 2021, për shkak të dyshimit të bazuar të veprave penale ““Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrja e ryshfetit”, “Kontrabandimi i mallrave” dhe “Dhënie e ryshfetit”.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri B.K., nga tetori i vitit 2020 deri me datë 18 Maj 2021, në pikën kufitare në Han të Elezit, në cilësinë personit zyrtar si zyrtar doganor pranë Doganës së Kosovës, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete ose për personin tjetër-të pandehurin L.S., me dashje nuk i përmbush detyrat e tij zyrtare, në atë mënyrë që derisa është në detyrë, e njofton të pandehurin L.S., për kohën kur është i caktuar në trakë për kontrollimin e automjeteve dhe qytetarëve me rastin e kalimit të kufirit, me ç’rast i mundëson të pandehurit që ta kaloj pikën kufitare duke kontrabanduar mallra përmes Maqedonisë së Veriut për në Republikën e Kosovës pa iu nënshtruar fare procedurave ligjore të kontrollit, me të cilën ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafin 3 nënparagrafi 3.1 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

I njëjti, me datë 18 Maj 2021, rreth orës 17:20h, në pikën kufitare në Han të Elezit, në cilësinë personit zyrtar si zyrtar doganor pranë Doganës së Kosovës, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore duke vepruar në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkon dhe pranon ryshfet nga i pandehuri L.S, ashtu që nga i njëjti me rastin kalimit të kufirit pranon shumën e përgjithshme të hollave prej 70 €, duka i mundësuar kështu kalimin e pikës kufitare pa iu nënshtruar procedurave ligjore të kontrollit, me të cilën ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 paragrafi 2 të KPRK-së.

Ndërsa, i pandehuri tjetër L.S., nga Tetori i vitit 2020 deri me datë 18 Maj 2021, rreth orës 17:20, në pikën kufitare në Han të Elezit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, ka bartur mallra dhe ka kaluar vijën kufitare duke shmangur kontrollin doganor, në atë mënyrë që me rastin e ndaljes dhe kontrollit nga hetuesit doganor, në veturën e të pandehurit të markës “Nisan Pulsar”, i janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e barnave prej 15 artikuj, përkatësisht njëmijë e treqinde tetëdhjetë e pesë (1,385) pako si dhe dyqind e dyzet e tetë (248) copë, ndërsa me rastin e kontrollit të depos, pronë e të pandehurit, gjenden dhe sekuestrohet edhe një sasi e barnave prej treqind e pesë dhjetë e nëntë (359) artikuj, gjithsej gjashtëmbëdhjetëmijë e dyqind e nëntëdhjetë (16,290.00) pako, me të cilën ka kryer veprën penale “Kontrabandimi i mallrave”, nga neni 311 paragrafi1 të KPRK-së.

Po ashtu, i njëjti me datë 18 Maj 2021, rreth orës 17:20h, në pikën kufitare në Han të Elezit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ofron dhuratë të paarsyeshme apo përftim tjetër personit zyrtarë, përkatësisht zyrtarit doganor B.K., në mënyrë që i njëjti të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, ashtu që i jep shumën e të hollave prej 70 €, për çka edhe ishin marr vesh paraprakisht përmes telefonit, me qëllim që të mos i nënshtrohet procedurave ligjore të kontrollit kufitar, me të cilën ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422 paragrafi 2 të KPRK-së.