auto ferizaj komuna15180215081 1 560x416 - Komuna e Ferizajt favorizon 8 kompani me qindra mijëra euro, nuk jep asnjë justifikim për shkeljet ligjore

Zyra e Prokurimit në Ferizaj, gjatë vitit 2016 do të duhej të siguronte dëshmi të garancioneve në vlerën e mbi 300 mijë euro nga kompanitë fituese, si siguri për ekzekutimin e punimeve sipas kontratave. Del se deri në fund të atij viti kalendarik për nëntë projekte infrastrukturore, siguroi vetëm 126 mijë euro. Për këtë çështje mori vërejtje edhe nga zyra e Auditorit të Përgjithshëm.
Tetë kompani private janë favorizuar nga Komuna e Ferizajt, gjatë vitit 2016. Administrata komunale e Ferizajt ka lejuar që këto kompani private të mos kryejnë e respekotjnë ligjin për Prokurimin Publik.

Fituesit e tenderëve obligohen që të ofrojnë si garancion 10 përqindëshin e shumës totale të tenderit.
Kjo shumë mbetet te institucionet shtetërore si garancion nga tenderuesit.  Konfiskohet nëse kompania private nuk kryen punimet, sipas kontratës.

Kjo shkelje kishte ndodhur në tenderët e Komunës së Ferizajt, ku përfshiheshin asfaltim e zgjerim rrugësh si dhe ndërtim i shkollave. Vlera totale e këtyre projekteve kalon shumën prej 4 milionë eurosh.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) ka kritikuar autoritetet komunale të Ferizajt për tolerimet që i kanë bërë fituesve të tenderëve. Insajderi, nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente publike, ka siguruar emrat e kompanive dhe të projekteve që kritikohen nga raporti publik i ZAP-it.

Bazuar në Ligjin për Prokurimin Publik, autoritetet komunale të Ferizajt ishin të obliguara që nga kompanitë private të kërkojnë garancione në vlerë totale prej 439 mijë e 713 eurove. Nuk e kishin bërë këtë.

Kompanitë kishin ofruar dëshmi garancioni vetëm për një pjesë të sigurimit të tenderit. Kanë ofruar dëshmi  vetëm për 126 mijë e 927 euro. Bazuar në të dhënat e Zyrës së Auditorit, përgjegjësit në Komunën e Ferizajt është dashur të siguronin garancione me kohë, nëditën e nënshkrimit të kontratës , edhe për mbi 300 mijë euro tjera.

Gazeta ka kërkuar përgjigje nga Komuna e Ferizajt. Nuk kanë dashur të japin përgjigje.

Zyra e Prokurimit e Ferizajt fillimisht ka pohuar se nuk është e informuar saktësisht se për cilët tenderë kritikohen nga ZAP-i.

Insajderi i ka dërguar më pas listën e projekteve të kritikuara. Nuk kanë dhënë përgjigje të detajuar për secilën prej rasteve dhe nuk kanë konfirmuar nëse kanë marrë ndonjë masë ndëshkuese ndaj kompanive të papërgjegjshme.

Rreziqet nga mosekzekutimi i garancionit

Pas përfundimit të auditimit të vitit 2016, auditorët kanë paralajmëruar Komunën e Ferizajt për rreziqet nga kjo shkelje ligjore. Kanë konkluduar se kjo mund të ndikojë që punimet mos të kryhen me kohë dhe në përputhje me standardet e cilësisë.

Zyrën e Prokurimit në këtë komunë e ka vlerësuar si të dështuar, për sa i përket respektimit të kritereve të tenderimit që ndërlidhen me ekzekutimin e garancionit/sigurimit të tenderit.

“Fakti se sigurimi i ekzekutimit nuk është në përputhje me kushtet e parapara të dosjes së tenderit dhe kushteve të veçanta të kontratës rrit rrezikun që komuna mos të ketë mundësi ta konfiskoj sigurimin e ekzekutimit në rast të mos përmbushjes së kontratës nga ana e operatorit ekonomik”, thuhet në raportin e ZAP-it.

Ligji i Prokurimit Publik  jep shpjegime të qarta lidhur me ofrimin e dëshmive të këtyre garancioneve.

Në bazë të Ligjit të Prokurimit çdo autoritet kontraktues, është i obliguar që të mbledhë dëshmitë nga kompanitë fituese të tenderëve si sigurimin e ekzekutimit të punimeve, me qëllim të përmbushjes së plotë të kontratës.

Me ligj kërkohet që kontraktuesi, jo më vonë se dita e nënshkrimit të kontratës duhet ta kryej këtë obligim. Siguria e ekzekutimit ndalet nga pagesa e autoritetit kontraktues për çfarëdo humbjeje që është pasoje e mosekzekutimit të plotë dhe të duhuri të obligimeve kontradiktore nga ana e kontraktuesit.

Bazuar edhe në raportin e ri të ZAP-it, autoritetet komunale të Ferizajt kanë shpërfillur rekomandimet e auditorëve. Auditorët kanë kritikuar sërish për “mos pagesën e obligimeve me kohë”.

“Mos adresimi i shumicës se rekomandimeve të dhëna shton rrezikun që të vazhdoj përsëritja e dobësive të njëjta në sistemet kryesore të komunës. Mos adresimi i kërkesave për përmirësime dhe përsëritja e rekomandimeve rezulton në mos efikasitet të vazhdueshëm dhe humbje financiare për Komunën”, thuhet në raportin e auditimit, të publikuar këtë javë.

Tenderi i dyshimtë i Ferizajt

Gazeta Insajderi ka analizuar secilin rast për të cilin Komuna e Ferizajt është kritikuar nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.  Në shumicën e rasteve vërehet mosefikasitet i autoriteteve komunale për të zbatuar Ligjin e Prokurimit Publik.

Njëri prej tyre ishte projekti për “Asfaltimi i rrugëve nga lagjja e Cakajve me shkollë në fshatin Mirosalë”.

Fitues ishte shpallur kompania “Burimi-E”. Vlera e kontratës mes kompanisë dhe komunës kalonte shumën prej 286 mijë eurosh.

Kohëzgjatja e projektit ishte në afat dy vjeçar. Kompania ishte e obliguar që të ofronte dëshminë e garancionit në shumën prej mbi 28 mijë eurosh. Kishte ofruar dëshmi të garancionit për vetëm 3 muaj apo 3 mijë e 579 euro, por do të duhej të garantonte për dy vite sa zgjaste projekti.

Zyra e prokurimit në Komunën e Ferizajt ka konfirmuar për Insajderin se sigurimi i tenderit nuk ishte paguar nga kjo kompani, në ditën e nënshkrimit të kontratës. Po ashtu, e njëjta kompani nuk kishte kryer punët me kohë.

Komuna vetëm kishte zgjatur afatin e kryerjes së punimeve.

“Sigurimi i ekzekutimit është vazhduar deri më 31.12.2017….Ku dhe punët janë përfunduar”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Prokurimit.

Gazeta ka provuar të kontaktoj me kompaninë “Burimi E”, por kontakti me të ka qenë i pa mundur.

Po ashtu, i njëjti tender ishte përcjellë edhe me shkelje tjera ligjore.

Kompania “Burimi-E”, ishte shpallur fitues tek pas tërheqjes nga tenderi të një kompanie tjetër që kishte ofertë më të lirë për të njëjtin projekt.

Sipas ZAP-it, kompania e tërhequr kishte pasur ofertën prej 266 mijë e 306 eurosh. Kjo ofertë për 20 mijë euro më e lirë se sa e kompanisë “Burimi-E”, e cila është shpallur fitues.

Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje  nga Komuna e Ferizajt se pse kompania “Burimi E”, u shpallë fituese përkundër çmimit të saj më të lartë. Por, përgjegjësit komunal nuk kanë dhënë asnjë përgjigje rreth kësaj çështje.

Zyra e Prokurimit në Ferizaj nuk ka treguar as arsyen e as emrin e kompanisë së tërhequr.

Shkeljet ligjore në projektet milionëshe

Projekti tjetër që përfshihet në këtë listë është ai për asfaltimin e rrugës Greme-Burrnik-Gaçkë.

Vlera e projektit është prej rreth 1 milionë euro e gjysmë. Komuna kishte shpallur fitues kompaninë “Eskavatori”.

Insajderi ka kontaktuar me zyrtarë të kompanisë “Eskavatori”. Zyrtarët e saj kanë dërguar një dokument, i cili sipas tyre, dëshmon se obligimi për tërë projektin është kryer në ditën e nënshkrimit të kontratës. Mirëpo, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, në një dokument që i ka ofruar Insajderit, ka treguar se garancioni i kësaj kompanie ka qenë i vlefshëm vetëm për një vit, e jo për tri vjet.

Një projekt tjetër milionësh ishte ai për zgjerimin e rrugës Komogllavë – Tërstenik.

Ishte fituar nga kompania “Bageri”. Për shkak se tenderi ishte në vlerë prej mbi 1 milionë eurosh, kompania obligohej të ofronte dëshminë e garancionit në shumën prej 108 mijë eurosh. Kishte garantuar punimet për një periudhë një vjeçare me vlerën prej 36 mijë euro. Jo edhe për dy vite tjera që në euro i bie edhe 72 mijë euro tjera nga 10% i tenderit.

Kompania “Bageri”, ende nuk është përgjigjur në interesimin e gazetës se pse nuk është paguar sigurimi  i tenderit.

Ngjashëm kishte ndodhur edhe në një tender tjetër, të fituar nga kompania “Bageri”.

Gjatë vitit 2016, kjo kompani kishte fituar tenderin për asfaltimin e rrugës në fshatin Bibaj.

Vetëm dy muaj më shumë sesa për projektin e rrugës në Rakaj, ka ofruar garancion kompania fituese e projektit “Asfaltimi i rrugës në fshatin Bibaj”.  Obligohej të ofronte garancion në shumën prej 31 mijë euro, për tri vite sa zgjaste projekti. Por siguroi punimet vetëm për katër muaj me shumën prej 3 mijë e 500 e 34 euro.

Edhe gjashtë kompanitë tjera që u favorizuan nga Komuna e Ferizajit

Në listën e projekteve në të cilat ZAP-i gjeti se nuk janë përmbushur obligimet sipas ligjit të prokurimit, kompania që ka ofruar garancion të me më së paku sigurim është kompania “Begisholli”.

Projekti për asfaltimin e rrugës në fshatin “Rakaj” ka qenë dy vjeçar, ndërsa Begisholli ka ofruar garancion për vetëm dy muaj për sigurimin e tenderit.

Në total ky tender peshonte 129 mijë euro, ndërsa sipas llogaritjeve ajo obligohej të jap garancion në shumën prej 12 mijë euro.

Ofroj garancion të punimeve vetëm për 2 muaj që në euro i bie 1 mijë euro. Por jo edhe për 1 vite e dhjetë muaj të tjerë.

Insajderi ka kontaktuar me kompaninë Begisholli. Përfaqësuesi i kompanisë Mejdi Begisholli, tha se e ka garantuar 10% e sigurimit ani pse ka mund të mos bëhet me kohë.

“Për tenderin për rrugën në Rakaj e kam paguar sigurimin. Nuk ka mundësi mos me u pagu. Nuk qon peshë a është pagu herët a vonë po me rëndësi është pagu”, ka thënë ai, ndonëse ligji e obligon që ta paguajë në ditën e nënshkrimit të kontratës.

Kompani tjetër që ishte toleruar nga Komuna e Ferizajit ishte edhe “Strassen Tiefbau”. Obligohej që të ofronte garancionin në shumën prej 22 mijë euro, garantoi vetëm për gjashtë muaj që në total i bie  vetëm 3 mijë e 740 euro. Ishte shpallur fitues në tenderin për asfaltimin e rrugicave në fshatin Prelez të Muhaxherëve, projekt që ishte tre vjeçar.

Ngjashëm ishte favorizuar edhe kompania “Linda”, e cila kishte fituar tenderin për asfaltimin  e rrugicave në fshatin Gaçkë e Epërme. Tenderi ishte në vlerë prej mbi 244 mijë eurosh.

Kompania private obligohej që të ofronte garancionin në shumën e 24 mijë eurove, garantoi vetëm për një vit apo 8 mijë euro nga 10%.

Veprim të njëjtë ndaj komunës bënë edhe dy kompani tjera fituese të tenderëve.

Tenderi për “Ndërtimi i shkollës fillore në fshatin Komogllavë”,  në vlerën prej 495 mijë e 761 euro ishte fituar nga konsorciumi “Betoni & Çeta”. Ata do të duhej t`i ofronin komunës garancionin në vlerën e 49 mijë eurove. Kishin siguruar punimet vetëm për një vit apo 16 mijë euro nga 10%.

Ndërsa tenderi për “Asfaltimin e rrugës në fshatin Dremjak” që u fitua nga konsorciumi “Real Compani & Ledi-ing”, peshonte 183 mijë e 89 euro. Duke llogaritur 10% e kësaj shume del se kishte garancioni  ndaj Komunës ishte në vlerë prej 18 mijë eurosh. Kompanitë fituese kishin garantuar për punimet vetëm për një vit, apo 6 mijë euro nga totali i tenderi. Obligoheshin që ofronin dëshmi për garancion tre vjeçar sa ishte projekti apo edhe 12 mijë euro tjera nga 10%.

Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në adresat zyrtare të të gjitha kompanive që vlerësohen si të papërgjegjshme nga Zyra e Auditorit. Por, shumica prej tyren ende nuk kanë dhënë ndonjë sqarim se pse nuk e kanë paguar sigurimin e tenderit, në ditën e nënshkrimit të kontratës.

Ngjashëm ka vepruar edhe Komuna e Ferizajt. Ende nuk kanë dhënë përgjigje në pyetjen se pse kompanitë janë lejuar që të mos e paguajnë garancionin në ditën e nënshkrimit të kontratës, por kanë toleruar kompanitë e papërgjegjshme.

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Ferizaj24:

Përmbajtjet që i merr Ferizaj24 nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Ferizaj24 botohet në www.ferizaj24.info dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.