Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur sot 120 nxënës nga Kosova dhe Shqipëria, të cilët janë të parët që kanë filluar programin e përbashkët për shkëmbimin e nxënësve mes dy vendeve.
Të 60 nxënësit kosovarë kanë qëndruar për një javë në Shqipëri, të shpërndarë nëpër familje, ku edhe kanë ndjekur mësimin në gjimnazet atje. Ndërsa, 60 moshatarët e tyre, të ardhur bashkë me ta në Kosovë, do të qëndrojnë në familjet e këtyre nxënësve dhe po ashtu, do të ndjekin mësimin në gjimnazet në Kosovë.

Ministri Bytyqi, me këtë rast, ka uruar nxënësit që janë bërë pjesë e këtij programi të rëndësishëm që ka për qëllim krijimin dhe thellimin e miqësive mes të rinjve tanë. Ai u ka thënë nxënësve se tashmë e kanë përjetuar se ne vërtetë jemi një komb.

Ministri ka theksuar se kjo është një mundësi e mirë që ata të njihen mes vete, pra të krijojnë dhe të thellojnë miqësi, e cila do t’i shërbejë të ardhmes së dy vendeve që kanë të njëjtën gjuhë, kulturë dhe traditë.

Ndërsa, zëvendësministrja e Arsimit e Shqipërisë, ndër të tjera ka theksuar edhe faktin se nxënësit kanë rastin të mësojnë se si funksionon sistemi i arsimit në Kosovë dhe Shqipëri.

Gjatë qëndrimit të Kosovë, nxënësit nga Shqipëria bashkë me moshatarët e tyre, përveç mësimit do të vizitojnë edhe vende kulturore dhe historike.

Programi për shkëmbimin e nxënësve ka filluar me marrëveshjen paraprake mes ministrave të Arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë, Shyqiri Bytyqi dhe Besa Shahini dhe do të vazhdojë me grupe të tjera të nxënësve.

Vizita e nxënësve nga Shqipëria, do të përmbyllet me një ceremoni në Prizren, ku do të marrin pjesë zyrtarë të lartë të shtetit dhe ministrat e Arsimit të dy vendeve.

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Ferizaj24:

Përmbajtjet që i merr Ferizaj24 nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Ferizaj24 botohet në www.ferizaj24.info dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.