komunal Ferizaj 850x4791 1 560x416 - Kuvendi i Ferizajt miratoi propozimin e Aliut, e diela ditë pushimi për bizneset

Këtë të premte është mbajtur mbledhja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, me ç’rast Kryesuesja e Kuvendit Kristina Gashi-Bytyci ka prezantuar të gjitha pikat e përgatitura për këtë mbledhje.

Pika e cila ngjalli më së shumti debat ishte propozim-vendimi i Rregullores për Caktimin e Orarit të Punës së Veprimtarive Afariste dhe Veprimtarive të tjera në Ferizaj, propozim ky i Kryetarit të Komunës së Ferizajt Agim Aliu dhe që me shumicë votash edhe u miratua.

Këtë pikë të rendit të ditës në mënyrë të detajuar e ka sqaruar drejtori i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit Zekir Bytyqi.
Drejtori Bytyqi, ka thënë se hartimi i kësaj rregullore është bërë pas kërkesave të shumta të një numri të madh të bizneseve ferizajase.

“Duke ju referuar kërkesave të një numri të bizneseve ferizajase kanë parashtruar kërkesën që dita e diel të jetë ditë pushimi, ne si komunë e Ferizajt kemi hartuar një rregullore funksionale dhe me standarde evropiane. Me përcaktimin e orarit të punës përcaktohen më shumë të drejta, kushte për punëtoret privat dhe pa i dëmtuar bizneset. Kjo rregullore do të krijojë stabilitet në sektorin privat, do të krijoje kushte që të rinjët të mos e braktisin vendin por të qëndrojnë dhe të kontribuojnë për shtetin dhe vetën e tyre”, ka thënë drejtori Bytyçi.

Shefi i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Imeri, ka thënë se këtë rregullore e përkrah, ndërsa ka theksuar se edhe në Rregulloren e vitit 2005, dita e diel ka qenë ditë pushimi. Ai ka thënë se në rregulloren e re po bëhet vetëm ndarja e veprimtarive të ndryshme tregtare.

Ndërkaq, Shkelzen Selmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë kundër kësaj rregulloreje, duke thënë se në këtë mënyrë po dëmtohen bizneset, për shkak të asaj që të hyrat mund të shkojnë jashtë qytetit të Ferizajt.

E nga ana tjetër nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Naim Ferati, ka thënë se kjo rregullore është e harmonizuar më të gjitha ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.

Në këtë mbledhje u bë e ditur se të gjitha shoqëritë e bizneseve janë të obliguara që të harmanizojnë orarin e punës me dispozitat e kësaj rregulloreje, në afatin prej 30 ditëve nga dita e hyrjes në fuqi. Po ashtu kjo rregullore do të hyn në fuqi 15 ditë pas regjistrimit në Zyrën e protokollit në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal si dhe publikimi në gjuhën zyrtare në vebfaqen e Komunës.

Po në këtë mbledhje drejtorja e Financave, Sebahate Ajeti-Sadiku, ka bërë edhe propozim-vendimi për rritjen e të hyrave vetanake për vitin 2019, propozim – vendim për bartjen e mjeteve nga viti 2019 në vitin 2020, si dhe propozim-vendimi për ndarjen e mjeteve financiare.

Ndërkaq drejtori i Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit Sabri Murseli, ka bërë dy propozim- vendime për dhënien në shfrytëzim të ngastrës kadastarale 338-2 ZK në Varosh si dhe propozimin për ndarjen e pjesës së ngastrës kadastrale 856-1 të Zonës kadastrale në Babush të Ri.

Po në këtë mbledhja drejtorja e Administratës së Përgjithshme Aurora Ramadani, ka bërë edhe propozim-vendimin për Plotësim Ndryshimin e Rregullores të Komunës për Transparencë, propozim ky edhe cili u aprovua.

Në këtë mbledhje dritën jeshile për të dal në diskutim publik mori edhe Draft Statuti i Galerisë së Arteve “Ismail Rama” në Ferizaj.

Ndërkaq anëtare nga Kuvendi për Komisionin për ndarjen e bursave për student për vitin 2019-2020 u caktuan Flora Abudullahu nga Partia Demokratike e Kosovës si dhe Bahrije Hyseni nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Po në këtë mbledhje betimin e dha anëtari më i ri i Kuvendit Komunal nga radhët e Vetëvendosjes Enver Bajrami, pasi zëvendësoi ish kolegun e tij Enver Haliti i cili tashmë është deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës.

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Ferizaj24:

Përmbajtjet që i merr Ferizaj24 nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Ferizaj24 botohet në www.ferizaj24.info dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.