w 45 560x416 - Mashtrim 1.7 milion eurosh në Ferizaj

Dy persona të dyshuar për mashtrim me një pronë 1.7 milion euroshe janë arrestuar të enjten në Gërlicë të Ferizajt, ndërkaq një tjetër i dyshuar ndodhet në arrati.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, sektorit të Hetimeve Financiare, dy personat e dyshuar janë arrestuar për mashtrim lidhur me një pronë prej 7.5 hektarë tokë.

Tre të dyshuarit, sipas policisë, kanë mashtruar përmes falsifikimit të dokumenteve dy qytetarë tjerë të Kosovës.

“Të dyshuarit kanë falsifikuar dokumentet lidhur me pronën dhe kanë arritur të njëjtën ta shesin në vlerë rreth një milion e nëntëdhjetë e shtatëmijë euro. Dyshohet që kjo vepër të jetë kryer edhe në bashkëveprim me tre persona tjerë shtetas të Republikës së Serbisë”, ka thënë Policia.

Raportohet se i dyshuari i tretë mashkull kosovar ndodhet në arrati, ka bërë të ditur institucioni i policisë.

“Të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, për procedura të mëtejme ligjore”, thuhet në njoftim.