Fronti Popullor i Kosovës shton një bust të diktatorit Enver Hoxha në një muze të improvizuar. “90 për qind e politikanëve e dojnë shpirtnisht Enverin, por s’guxojnë të flasin”, thotë Agim Xhigoli

 

Grupi kontrovers, Fronti Popullor i Kosovës, i cili vepron në qytetin e Ferizajt, këto ditë e “ka pasuruar” muzeun e tyre me një bust të diktatorit shqiptar, Enver Hoxha. Busti, i cili iu erdhi nga Tirana, do të promovohet në 31-vjetorin e themelimit të LPK-së. Përkrah ish-udhëheqësit komunist, por në fotografi, gjenden edhe figura të tjera të kombit shqiptar, që nga Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912-n e deri te Kryeministri aktual i Kosovës, Hashim Thaçi. “Ka interesim të njerëzve për ta parë këtë kombinatorikë të jashtëzakonshme”, thotë Remzi Hasani. “90 për qind e politikanëve e dojnë shpirtnisht Enverin, por s’guxojnë të flasin”, thotë kolegu i tij, Agim Xhigoli.

Kur institucionet e vendit po bëjnë përgatitjet e fundit për festimin e pesëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Fronti Popullor i Kosovës po përgatitet për diçka tjetër…

21 vjet pas rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës në Tiranë, një bust të tillë, por me përmasa më të vogla, e kanë kthyer në qytetin e Ferizajt.

“Fronti Popullor i Kosovës për kultivimin e veprës së Enver Hoxhës”, është themeluar në tetor të vitit 2010 dhe këtë të shtunë do të përkujtojë 31-vjetorin e themelimit të Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), nga e cila u nda edhe Fronti, që veten e quan parti politike. Me këtë rast do të promovohet edhe busti i diktatorit Hoxha.

Në një dhomë të vogël që udhëheqësit e Frontit e quajnë “dhomë konferencash”, është vendosur figura e njeriut që për 50 vjet kishte udhëhequr me grusht të hekurt dhe e kishte izoluar Shqipërinë.

 

Kjo hapësirë gjendet në anën e djathtë të rrugës “Ilir Konjushefci”, rreth një kilometër pasi kalohet magjistralja Ferizaj-Gjilan. Nuk ka ndonjë shenjë paralajmëruese që tregon për këtë “muze të vogël”.

“Ne kemi krijuar një frymë të tillë politike të quajtur Fronti Popullor i Kosovës, për kultivimin e veprimtarisë së Enver Hoxhës”, tha Remzi Hasani, udhëheqës i Frontit Popullor, profesor i filozofisë.

“Për qejfin tonë, bustin e Enverit e kishim vendos edhe në shtëpi”, i tha Hasani, gazetës “Jeta” në Kosovë.

Agim Xhigoli, zëdhënësi i frontit, tregon se busti i diktatorit Hoxha (të cilin ai nuk e konsideron të tillë) u ka ardhur rreth pesë muaj më parë nga Shqipëria.

“Bustin e kemi paguar 500 euro. Ai është i ndërtuar me gips, duke u bazuar në bustin origjinal të Enver Hoxhës që gjendet në Shqipëri”, tha Xhigoli.

“Na e ka sjellë nga atje gjenerali i kohës së Enverit, Ndue Ndode. Ai tash në Shqipëri është pilot dhe merret me çështjen e veprimtarisë së Enver Hoxhës”, shpjegon ai.

Përkrah Enver Hoxhës në fotografi gjenden edhe figura të tjera të kombit shqiptar, që nga Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912-n deri te Shpallja e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Figura këto që historia nuk i ka bashkuar, por Fronti Popullor po.

Në “dhomën e konferencave” mund shohësh figurat e Ismail Qemalit, Avni Rustemit, Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, komandantit legjendar të luftës së fundit, Adem Jashari, e deri te politikanët aktualë Hashim Thaçi, Bajram Rexhepi, si dhe dëshmori Rexhep Bislimi…

Hapësira është e mbushur me flamuj kuqezi dhe me mbishkrimet “Urime 100-vjetori i Pavarësisë”.

Remzi Hasani, udhëheqësi i Frontit Popullor, thotë se pa kujtimin e veprës së Enver Hoxhës nuk do të kishte kuptim 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë.

“Sali Berisha u ka ngrit buste të tjerëve, por jo Enverit. Ai mund të flasë keq për këtë periudhë, por duhet të thotë se edhe këta ishin dikur”, shprehet Hasani.

“Nëse kjo periudhë ka qenë e errët për dikë, atëherë pa Enverin duhet të festohet 50-vjetori i Pavarësisë dhe jo 100-vjetori i saj.”

Për hapësirën ku gjendet busti i Enver Hoxhës, udhëheqësit e frontit paguajnë qira. Por së shpejti, sipas tyre, busti dhe gjërat e tjera do të zhvendosen në një hapësirë më të madhe.

“Ka interesim të njerëzve për ta parë këtë kombinatorikë të jashtëzakonshme”, shprehet Hasani.

Prej vendosjes së bustit, thonë se kanë pasur rreth 5 000 vizitorë. “Kanë ardhur, janë përshëndetur me figurën e Hoxhës dhe secili prej tyre është fotografuar”, tha zëdhënësi i frontit. “Kemi pas edhe vizitorë që kanë qarë.”

Xhigoli tregon se dhomën e vogël të bustit e kanë vizituar edhe shumë përfaqësues nga bota e politikës.

“90 për qind e politikanëve e dojnë shpirtnisht Enverin, por për shkak të vijave politike që kanë, nuk kanë guxim të flasin publikisht”, tha Xhigoli për gazetën “Jeta” në Kosovë.

Edhe Hasani thotë se “prej gjirit” të Lëvizjes Popullore të Kosovës kanë dalë shumë nga drejtuesit aktualë të vendit. “Por, në momentin që i gjetën paret e mëdha, e harruan lëvizjen”.

Kjo parti ka themeluar edhe Byronë Politike, e cila përbëhet nga 21 anëtarë. Tre prej tyre janë nga Maqedonia, tre nga Kosova Lindore dhe 15 anëtarë nga Kosova.

Prijësi Remzi Hasani thotë se kjo “byro” nuk do t’i nënshtrohet asnjëherë votimit.

“Ne nuk do të lejojmë opozitë brenda frontit, ata që nuk e duan Enverin le të bëjnë parti tjetër”, tha Hasani.

Ata në këtë formë synojnë ta bëjnë edhe bashkimin e Shqipërisë. Për Frontin Popullor nuk është e rëndësishme që Kosova të bëhet pjesë e Europës, pa u bërë së pari bashkimi me Shqipërinë.

“Kjo parti do ta ketë bazament frymën e politikës së Enverit, konform rrethanave që ekzistojnë sot”, tha Hasani.

Ai thotë se Fronti Popullor nuk është për t’i kthyer njerëzit sërish në biçikleta. (Biçikleta simbolizon Shqipërinë e pazhvilluar). “Por, ditën që do të kemi fuqinë, do të krijojmë kushte që shërbimi i shëndetësisë të bëhet falas”, tha ai. “Të gjithë e dinë si ka qenë arsimi, ndërtimi… Pyetni ata që nuk mendojnë politikisht.”

Fronti dhe ithtarët e tyre, para disa kohësh e patën djegur publikisht në sheshin e Ferizajt librin biografik për Enver Hoxhën të Blendi Fevziut, pasi, sipas tyre, ajo nuk pasqyron drejt figurën “e madhe” të liderit komunist të Shqipërisë.

Drejtuesit e frontit tregojnë se synojnë të bëjnë edhe një televizion, përmes të cilit do të kenë mundësi të plasojnë qëndrimet e tyre më fuqishëm.

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Ferizaj24:

Përmbajtjet që i merr Ferizaj24 nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Ferizaj24 botohet në www.ferizaj24.info dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.