w 18 560x360 - Nënshkruhen kontratat për oksigjen në spitale, nga nesër fillon furnizimi

Spitalet rajonale në Kosovë nga nesër, thonë nga SHSKUK’ja, se do të nisin të furnizohen me oksigjen. Shumë prej spitaleve së fundmi janë përballur me mungesë të oksigjenit. Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës sot ka nënshkruar kontratat e reja për furnizim me oksigjen.

Selami Krasniqi, shef i prokurimit në SHSKUK ka bërë të ditur se janë kryer të gjitha procedurat për kontratat e reja për furnizim me oksigjen të cilat edhe janë nënshkruajtur sot.

Ai ka bërë të ditur se nga dita e nesërme do të fillojë leferimi i oksigjenit.

“Kontratat e reja hynë në fuqi ditën e nënshkrimit, që do të thotë se operatorët ekonomikë menjherë prej datës 10.12.2020, fillojnë liferimin me oksigjen nga kontratat e reja”, ka thënë ai.

Krasniqi ka treguar edhe për operatorët të cilët do të merren me furnizim të institucioneve publike shëndetësore me oksigjen.

“Kontrata për oksigjen të lëngët është nënshkruar me operatorin Ekonomik “Medical Group”. Kontrata për oksigjen të gaztë (me bombola) është nënshkruar me operatorin Ekonomik “Medica””, ka thënë ai.

Kontratat për furnizim me oksigjen disa herë ishin pezulluar për shkak të kërkesave të operatorëve ekonomikë. Kësisoj, edhe spitalet rajonale kishin mbetur pa furnizim.

Drejtori i Spitalit të Ferizajit, Jeton Zeqiri ka bërë të ditur se kanë filluar të furnizohen me disa bombola të oksigjenit dhe se kanë arritur të krijojnë edhe rezerva.

“Ne furnizohemi përmes SHSKUK-së me oksigjen nga kompania “Medical Group”. Ne na kanë sjell disa bombola të reja dhe kemi krijuar rezerva, gjendja është më e mirë tani”, ka theksuar ai.

Ndërsa, edhe nga Spitali i Gjilanit, përkundër vështirësive në furnizim, kanë bërë të ditur se asnjë nga pacientëve nuk po ju mungon oksigjeni.

Për shkak të mungesës së vazhdueshme të oksigjenit, Kosova ka lidhur marrëveshje me Maqedoninë e Veriut për shkëmbim të oksigjenit

Me mungesë të këtij të fundit është ballafaquar edhe Spitali i Gjilanit.

Nënkryetari i kësaj komune, Arbër Ismajli ka thënë se kanë bërë përpjekje që të lidhin marrëveshje me Maqedoninë e Veriut për furnizim me oksigjen, për shkak të mungesës së tij.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka bërë të ditur se kjo marrëveshje është arritur.

Derisa institucionet publike shëndetësore në vend ballafaqoheshin me mungesë të oksigjenit, nga Ministria e Shëndetësisë ishte thënë për Express, se nuk është në kompetencën e tyre furnizimi me oksigjen, kësisoj duke hequr përgjegjësinë nga vetja.