w 2 560x416 - Një muaj paraburgim për dhunë në familje

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës një muaj paraburgim kundër të pandehurit A.B., shtetas i Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale lëndim i lehtë trupor dhe kanosje.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal – Habib Zeqiri, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 2 mars 2021 në Ferizaj, në shtëpinë e tyre, pas mosmarrëveshjeve paraprake, ka kanosur dhe lënduar tani të dëmtuarën bashkëshorten e tij.

Sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit, duke pasur parasysh se i pandehuri deri në momentin kur dyshohet të jetë kryer vepra penale ka jetuar në një hapësirë me të dëmtuarën, ekziston rreziku që i njëjti të ndikojë në rrjedhën normale të procedurës penale, ngase duke parasysh karakteristikat e të pandehurit i njëjti lehtësisht mund të ndikojë në forma të ndryshme tek e dëmtuara, e që si rrjedhojë do ta vështirësonte këtë çështje në faza tjera të procedurës, ndërsa po të gjendet në liri, mund të përsërisë vepra të tilla penale, sidomos ndaj tani të dëmtuarës.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.