w 5 560x416 - PDK-ja mohon t’i ketë bërë grafitet në shtëpinë e Graincës, fton Policinë ta intervistojë VV-në

Partia Demokratike e Kosovës ka mohuar dyshimet se ajo ka qenë prapa grafiteve në shtëpinë e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Adelina Grainca. Kjo parti madje ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të nisë hetimet duke intervistuar në VV për rastin.

Të martën, familja e ish-deputetes së PDK-së hodhi dyshime se ishte kjo parti që shkroi grafitë në muret e oborrit të shtëpisë së deputetes në Ferizaj. “Bijat i shesim, votat i qesim” shkruhej në grafitë duke iu referuar kalimit të Graincës në Grupin Parlamentar të VV-së nga PDK-ja në ditën kur u votua për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente. Xhaxhai i deputetes ka thënë për KOHËN se shumë shpejt do të tregojë kush i ka bërë mbishkrimet, ndërsa hodhi dyshimet te PDK-ja.

Ndërkaq, të mërkurën në mëngjes, PDK-ja pos që ka mohuar dyshimet, ka kërkuar nga Policia e Kosovës të nisë intervistimet nga VV-ja.

“Për një kohë të gjatë PDK ka qenë vet viktimë e këtij lloji të sulmit. Shtëpitë dhe veturat e zyrtarëve tanë janë sulmuar për motive politike. Zyrtarët e PDK-së janë denigruar e fyer dhe nuk janë kursyer as nga sulmet dhe as nga linçimet publike. Kjo është edhe arsyeja se pse ne nuk besojmë në këtë formë të ‘protestës’, kjo qasje është e gabuar. Dhuna politike, gjuha denigruese dhe seksiste nuk kanë vend në diskursin publik. Vet reagimi i LVV-së tregon qartazi se kush qëndron mbrapa këtyre grafiteve. Pyetjet me rëndësi që duhen shtruar është se pse tani pasi disa jave janë bërë këto grafite? Edhe atë në shtëpinë e gabuar?! Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk e ka ulur vetën në këtë nivel duke e sulmuar dikë në shtëpi e në familje për motive politike. Për këtë arsye ky sulm është i pa pranueshëm për ne. Ne ftojmë Policinë e Kosovës që të hetojnë këtë rast duke ju sugjeruar që intervistimet t’i fillojnë nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi që siç̧ duket kjo parti vetëm pas disa ore i kanë ‘identifikuar’ autorët!” ka thënë në një deklaratë për mediat, zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi.