safe image 5144151 - Përfaqësimi Zyrtar i Avokatëve diskutohet në Ferizaj

Ferizaj – Në tryezën e organizuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës në Ferizaj, u diskutua për përfaqësimin zyrtar të avokatëve. Avokatët angazhohen në këtë mënyrë, kur të dyshuarit, ose të akuzuarit për kryerjen e veprave të rënda penale, deklarojnë se nuk kanë para për mbrojtës.

Në takim,përfaqësuesi i policisë Qazim Reka tregoi procedurën e ndjekur nga pjesëtarët e forcave të rendit kur ata përballen me ndonjë të dyshuar për kryerjen e veprave penale.

“Nëse e kemi një të dyshimtë, ne e njoftojmë atë me të drejtat e tij, e një ndër të drejtat e tij është edhe e drejta për avokat dhe nëse ai kërkon që t’i sillet avokati, ne do t’ia sjellim avokatin dhe ne nuk do të fillojmë intervistimin”, tha ai.

Në debat përveç përfaqësuesve nga policia dhe sistemi i drejtësisë, morën pjesë edhe përfaqësues të BIRN-it, si monitorues gjykatash.

Pikërisht e drejta e të dyshuarve, ose të akuzuarve për të pasur avokat kërkoi të sqarohet në këtë diskutim ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Të drejtën për përfaqësim zyrtar me avokatë, nëse nuk kanë mundësi ta paguajnë vetë një të tillë, e kanë vetëm personat e dyshuar, ose të akuzuar për vepra të rënda penale.

U.d. i kryeprokurorit të Ferizajt Rasim Maloku tha se policia shpeshherë thërret avokatët në stacione të saj, edhe kur mbrojtja për ndonjë të dyshuar nuk është e obligueshme sipas ligjit.

“Nganjëherë po bimë në dilemë që në polici po caktohen avokatë, mirëpo jo për mbrojtje të obliguar dhe në këtë rast po kemi probleme me qitë nënshkrimin, sepse nëse një person deklaron se dëshiron avokat, nuk do të thotë se shteti apo prokuroria t’i marrë obligimet për me mbulu me avokat”, tha u.d. i kryeprokurorit.

Pagesat për avokatët që përfaqësojnë ata që nuk kanë para për të paguar mbrojtjen e tyre në gjykatë, bëhen nga Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial i Kosovës.

u.d i kryeprokurorit tha se nuk është e ndershme që një avokat të thirret në mes të natës për ta përfaqësuar dikë sipas detyrës zyrtare dhe ai më pas të mos paguhet për punën që bën.

Thirrjet shpejt e shpejt e shkel e shko të avokatëve në polici, i konfirmoi edhe Jeton Berisha, njëri prej tyre.

“Neve zakonisht na thirrin në telefon 10 minuta pa fillu seanca. Ne duhet me shku tu vrapu, nëse është fjala për polici nuk na tregojnë kurrë se çfarë vepre është që ne me vlerësua vetë [a ka përfaqësim zyrtar për të] , mirëpo neve na thirrin se po ju thirrin në polici a mundeni me shku”, tha ai.

Përpara Oda e Avokatëve të Kosovës dërgonte listat me emra të avokatëve për përfaqësim zyrtar në polici, prokurori e gjykata, por me një vendim të qershorit të vitit të kaluar këto lista do t’i dorëzohen administratorit të degëve regjionale të Odës dhe i njëjti do të thërrasë avokatin mbrojtës sipas renditjes alfabetike nga regjioni në të cilin mbrojtësi kërkohet nga gjykatat, prokuroritë, ose policia.

Administratori i Gjykatës në Ferizaj Sejdi Sadiku, bashkëpunimin gjyqtarë-avokatë në rastet e përfaqësimit sipas detyrës zyrtare, e vlerësoi mjaft të mirë.

Gjyqtari Ibrahim Idrizi tha se ligji e përcakton qartë kur mbrojtja nuk është e obligueshme, por interei i mbrojtjes së drejtësisë është shumë më i gjerë.

Zekirja Gashi që udhëheq avokatët e Ferizajt, u ankua se ata kur përfaqësojnë palët gjatë mbrojtjes sipas detyrës zyrtare kanë probleme me pagesat.

“Meqenëse është shqyrtuar një temë që ka të bëjë me përfaqësimin zyrtar të avokatëve dhe në këtë sferë kemi disa probleme rreth pagesës, gjegjësisht faturimit të cilët e bëjnë avokatët”, tha Gashi.

Ai bëri me dije se avokatët tash janë të kënaqur me pagesat që u bëhen për mbrojtje sipas detyrës zyrtare, pasi ato pagesa sipas tij tash janë rritur.

Nga përfaqësimi i palëve avokatët mund të fitojnë më së shumti 500 euro në muaj.

Flamur Ramadani nga Oda e Avokatëve, njëri nga organizatorët, takimet e tilla i konsideroi të frytshme.

“Këto takime janë konsideruar si të frytshme, sepse marrin pjesë të gjithë aktorët e sistemit gjyqësor, prokuroria, të policisë dhe të avokatisë dhe diskutojnë çështjet që nga ato minore deri te ato çështje procedurale më të mëdha që këta i shohin”, tha Ramadani.

Javën e kaluar një tryezë e tillë e Odës së Avokatëve u mbajt në Mitrovicë.

NGA

SKENDER GOVORI – BIRN

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Ferizaj24:

Përmbajtjet që i merr Ferizaj24 nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Ferizaj24 botohet në www.ferizaj24.info dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.