w 13 560x416 - Policia në Ferizaj shqipton nëntë gjoba ndaj partive që shkelën masat anti-COVID

Nëntë gjoba i ka shqiptuar Policia në Ferizaj ndaj subjekteve të mëdha politike për shkelje të masave anti-COVID. Agim Gashi, zëdhënës i Policisë së Kosovës në Ferizaj, ka thënë për KOHËN se Policia vazhdimisht është duke i monitoruar të gjitha subjektet politike, ndërkohë shumica prej tyre po i shkelin masat anti-Covid.

“Policia ka të drejtë të shqiptojë gjoba deri në 500 euro për raste të tilla, ndërkaq ka edhe prej atyre që lëndët janë iniciuar me procedurë për gjykatë. Deri më tash Policia në Regjionin e Ferizajt ka shqiptuar gjithsejtë nëntë gjoba të tilla për subjektet politike të cilat kanë shkelur ligjin dhe rekomandimet e IKSHPK-së ndaj masave anti-Covid”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, deri në fund të fushatës zgjedhore Policia e Kosovës në regjionin e Ferizajt do t’i monitorojë të gjitha tubimet zgjedhore dhe do të ofroi siguri për qytetarët.

Shaban Rexhaj, shef i Komisionit Komunal Zgjedhor në Ferizaj ka thënë se të gjitha subjektet politike kanë të drejtë të mbajnë tubime zgjedhore, por duke i zbatuar ligjet dhe rekomandimet e institutit Kombëtar t Shëndetit Publik ndaj pandemisë Covid-19.

“Subjektet politike kanë të drejtë t’i shpalosin programet e tyre para elektoratit. Në këto palë zgjedhje janë disa rregulla më specifike për shkak të pandemisë sepse në vendet e mbyllura lejohen tubime me vetëm 30 qytetarë, ndërkaq në vendet e hapura lejohen vetëm 50 persona të marrin pjesë. Kjo duhet të zbatohet sepse ne së bashku me Policinë e Kosovës dhe me institucionet tjera që mund të ngritin ankimimin e tyre në panele zgjedhore për ankesa dhe parashtresa, subjektet politike ndëshkohen për lejimin e tubimeve jashtë ligjit”, ka thënë Rexhaj.

Ndërkohë, edhe në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës në regjionin e Ferizajt kanë thënë se deri tash janë ndëshkuar dhjetëra biznese dhe subjekte politike për mosrespektim të masave anti-Covid. Burime brenda këtij institucioni kanë deklaruar se në disa raste edhe inspektorët e tyre po pengohen gjatë monitorimit të fushatës zgjedhore.

“Nga AUVK-ja, deri tash janë shqiptuar dhjetëra gjoba ndaj subjekteve dhe bizneseve të cilat kanë lejuar tubime me qytetarë mbi numrin e caktuar nga IKSHPK-ja. Ndërkohë do të vazhdojmë edhe gjatë ditëve në vazhdim në bashkëpunim me Policinë e Kosovës megjithëse kemi pasur pengim të inspektorëve gjatë kryerjes së detyrës në terren”, ka thënë njëri nga inspektorët e këtij institucioni.

Ndërkohë edhe Policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se tre inspektorë sanitarë janë penguar gjatë kryerjes së detyrës në Ferizaj derisa ata ishin duke kontrolluar një kafene që kishte qenë hapur jashtë orarit të paraparë me masat anti-COVID dhe ku ishin prezent 20-25 persona. Inspektorët sanitarë kishin kërkuar nga pronari i lokalit dokumentacionin dhe po ashtu të largohen personat nga lokali. “I njëjti ka refuzuar këtë, i ka fyer dhe i ka larguar nga lokali. Njësiti policor ka dal në vend të ngjarjes, por nuk kanë hasur në të dyshuarin”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

Ndaj tubimeve zgjedhore me numër të madh të qytetarëve ka reaguar edhe rrjeti i OJQ-ve “Avonet” në Ferizaj duke kërkuar nga Policia të shqiptojnë sa më shumë gjoba ndaj subjekteve politike.

 

 

Burimi: KOHA

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Ferizaj24:

Përmbajtjet që i merr Ferizaj24 nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Ferizaj24 botohet në www.ferizaj24.info dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.