shou mediatik per nje gazsjelles me te ardhme te pasigurt - Shou mediatik për një gazsjellës me të ardhme të pasigurt

Andrey Gurkov

Shumë politikanë e zotërojnë artin e madh të prezantimit publik me efekt mediatik të një projekti ndërtimi të papërfunduar. Rusia ka përvojë që në epokën sovjetike, edhe Turqia nuk qëndron shumë më pas. Së fundmi presidenti turk Recep Tayyip Erdogan hapi me pompozitet aeroportin e Stambollit, megjithëse ai vetëm në janar mund të fillojë nga puna. Tani Erdogan dhe presidenti rus, Vladimir Putin kanë vendosur një kut të ri në këtë drejtim. Të hënën (19.11) ata morën pjesë në ceremoninë festive që i dedikohej fundit të punimeve në një pjesë të ndërtimit të gazsjellësit, Turkstream. Një gazsjellës, që sipas planeve do të mund të jetë në funksion vetëm në fund të vitit 2019. Pra, pas një viti. Kjo sepse në territorin turk duhet të ngrihet njëherë e gjithë infrastruktura, që do duhet të marrë gazin në tabanin e Detit të Zi e ta transportojë atë më tej.

Pra, e gjitha kjo ishte më shumë si ajo festa tradicionale në vendet gjermanishtfolëse, pra ngritja e një dollie për ndërtimin e shtëpive në fazën kur vetëm muret janë ngritur. Por këtë mund ta shohësh edhe nga ana tjetër – dy presidentë, burra shteti shumë të zënë me punë, gjejnë kohë që të gëzohen me ndërtimin e një piste zbritjeje në aeroport, megjithëse ndërtesa e aeroportit akoma nuk është ngritur. Motivet e të dy politikanëve që t’u bien kaq shumë tambureve janë të kuptueshme: Modeli ekonomik ekspansiv i Erdoganit është lëkundur tej mase, lira turke përjeton zhvleftësimin masiv, inflacioni ka kapur shifrën 25 për qind. Prandaj çdo sukses ekonomik apo në politikën e jashtme është shumë i mirëpritur për presidentin.

Kjo vlen edhe për presidentin rus. Sepse Turkstream, krahas gazsjellësit të Balltikut, Nord Stream 2 janë projektet më të dashura të presidentit rus. Të dy gazsjellësit kanë një qëllim final: t’i japin fund tranzitimit të gazit përmes Ukrainës rebele ose të paktën ta reduktojnë atë masivisht, madje deri në fund të vitit 2019. Sepse në këtë kohë merr fund edhe marrëveshja aktuale e tranzitit me Kievin.

Për të arritur këtë qëllim, koncernit gjysmështetëror Gazprom nuk i dhimbsen aspak paratë. Kështu në territorin rus, Gazprom ka vendosur dy herë më shumë tubacione nga Siberia se sa nevojiten, sepse më parë ishte planifikuar një gazsjellës tjetër, që kalonte përmes Detit të Zi. South Stream me katër degëzime dhe një kapacitet vjetor prej 63 miliardë metër kubikë. Kështu gazi nga Bullgaria do të shpërndahej drejt e në vendet e tjera të BE. Por ky projekt nuk i përgjigjej rregulloreve të BE për tregun energjitik, dhe kishte kundërshtarë të fortë në SHBA. Por në vend që të negocionte dhe të arrinte një kompromis, Putin në fund të vitit 2014 e la të dështojë këtë projekt, dhe pas një takimi me Erdoganin i ndryshoi drejtimin të katër degëzimeve duke i kaluar nga Turqia.

Me sa duket as presidenti turk nuk donte të shihte kaq shumë gaz të kalonte përmes territorit të tij, (a mos kishte frikë ai nga një varësi e madhe prej Moskës?) dhe kështu gazsjellësi Turkstream u reduktua në dy degëzime. Të gjitha llogaritjet e para për këtë projekt, që në fillim shihej si shumë i shtrenjtë ishin thjesht fasadë, dhe madje edhe optimistët filluan të kenë dyshime për rentabilitetin e gazsjellësit.

Por, me kaq nuk mjafton. Nga dy degëzimet e vendosura ndërkohë në brigjet turke, vetëm njëri prej tyre me një kapacitet prej 15,75 miliardë metër kubikë ka gjetur një blerës fiks – firmën energjitike shtetërore turke, Botas, që kërkon të furnizojë me gaz pjesën perëndimore të Turqisë. Për shumë vite ky rajon u furnizua përmes Ukrainës, Moldavisë, Rumanisë e Bullgarisë, e tani vjen një linjë direkte nga Rusia – pa rreziqe tranziti, pa tarifa tranziti. Nga pikëpamja ekonomike, Turqia duket fitimtarja e këtij projekti, dhe Erdogani ka arsye të festojë në Stamboll. Por jo Vladimir Putini. Sepse degëzimi i dytë, që duhet të transportojë gaz në BE dhe mund të përmirësojë rentabilitetin e gazsjellësit ka gjasë të përfundojë në qorrsokak në fund të vitit 2019.

Ende nuk dihet se si do të mbërrijë ky gaz në BE. Gazprom kishte kërkuar në mënyrë ultimative në fund të vitit 2014 e fillim të vitit 2015, që partnerët evropianë të kujdeseshin vetë për një linjë lidhëse përmes Greqisë e deri në Itali. Por deri më tani asgjë nuk është bërë. Alternativa e vetme, që i mbetet Gazpromit dhe Putinit që e ka në patronazh është transportimi i gazit përmes Bullgarisë, dhe pas kësaj përmes tubacioneve ekzistuese ose tubacioneve të rinj atë kalojë atë nëpër Rumani, Hungari, Austri apo përmes Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor.

Me fjalë të tjera, Moska tani – katër vite më vonë e disa miliarda të investuara – duhet të fillojë prapë nga fillimi, aty ku përfundoi historia e South Stream. Prandaj mediat, nuk duhet të verbohen nga publiciteti pompoz e të kenë kujdes nga formulimet si „furnizim me gaz të Turkstream edhe për Europën vitin e ardhshëm”.

Sepse ende asgjë nuk është vendosur: Vërtet që vendet e Evropës Juglindore kanë nevojë për gazin rus dhe tarifat e tranzitit për transportimin e mëtejshëm të tij, por se përmes cilave rrugë e nën çfarë kushtesh, kjo duhet të negociohet ende me Moskën. Dhe në këtë pikë BE e ka levën e duhur në dorë.

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Ferizaj24:

Përmbajtjet që i merr Ferizaj24 nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Ferizaj24 botohet në www.ferizaj24.info dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.