Universiteti më i ri publik në Kosovë nuk ka kaluar mirë në procesin e akreditimit në fazën fillestare të vlerësimit nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë.

KALLXO.com ka siguruar listën e degëve, departamenteve dhe programeve të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, të cilat kanë dështuar t’i kalojnë kriteret e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, organ ky i cili akrediton programet studimore.

Mirëpo kjo listë ende nuk është përfundimtare deri në përfundimin e procesit të ankimimit, ndaj vendimeve të KShC-së.

Nga katër fakultete brenda UShAF-it, tashmë kanë mbetur vetëm dy, fakulteti i Inxhinierisë dhe Informatikës, si dhe fakulteti i Turizmit dhe Ambientit.

Të akredituara janë vetëm pesë programe, ndërsa gjashtë të tjerave u është tërhequr dhe refuzuar akreditimi.

Për secilin program studimi të nivelit Bachelor duhet pasur tre ose katër doktorë shkence të fushës së ngushtë, në programet Master duhet të jenë një ose dy doktorë shkence, ndërsa për studimet e doktoratës për secilin program duhen tre profesorë të asocuar.

Si pasojë e mosplotësimit të këtij kriteri, Universiteti i Ferizajt mbeti pa programet ‘Inxhinieri industriale dhe informatikë’ në nivelin Bachelor dhe ‘Menaxhment i turizmit dhe hotelieri’ në nivelin Bachelor.

Edhe pse USHAF kishte aplikuar me 7 programe të reja për akreditim dhe riakreditim, KShC kishte refuzuar 4 prej tyre.

Bëhet fjalë për programet ‘Menaxhment industrial’ në nivelin Master i shkencës, ‘Inxhinieri dhe informatikë’, ‘Arkitekturë dhe dizajn i brendshëm’ dhe ‘Informatikë aplikative’.

Programet që edhe vitin e ardhshëm akademik do të kenë akreditim në këtë universitet janë: ‘Arkitekturë e interierit dhe dizajn i mobileve’ në nivelin Bachelor i shkencës dhe ‘Dizajni dhe konstruksionet e produkteve nga druri’, në nivelin Bachelor profesional.

Ndërkaq programet që kaluan shkallën e parë për akreditim janë: ‘Menaxhimi dhe inovacioni në turizëm’ në nivelin Master i shkencës, ‘Menaxhment industrial’ në nivelin Bachelor i shkencës dhe ‘Dizajn grafik dhe multimedia’ në nivelin Bachelor profesional.

Historia e akreditimeve

Këshilli Shtetëror i Cilësisë në kuadër të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, muajin e kaluar, kishte vendosur për akreditimin e programeve të reja, riakreditimin dhe tërheqjen e tyre në universitetet publike dhe private, e mes tyre edhe për Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.

Gjatë kësaj mbledhje, KShC akreditoi 2 programe studimore valide dhe i tërhoqi 2 të tjera USHAF-it, ndërsa në fazën fillestare të vlerësimit të aplikacioneve, USHAF kishte marrë dritën e gjelbër për 3 programe të reja, mirëpo iu refuzuan 4 të tjera.

Arsyeja e tërheqjes dhe refuzimit për akreditim të programeve studimore nga KShC-ja kryesisht ishte nga mungesa e doktorantëve të fushës së ngushtë të këtyre programeve.

Por edhe në rast mosakreditimi, Universiteti mund të aplikojë përsëri për akreditimin e këtyre programeve siç thuhet tutje në Ligjin për Arsimin e Lartë, konkretisht në Nenin 15 ‘Akreditimi dhe vlerësimi i cilësisë’, pika 6, e cila thotë se “nëse një bartës i licencuar i arsimit të lartë nuk arrin të fitojë akreditimin apo riakreditimin institucional, kjo do të rezultojë me një organizim tjetër të akreditimit jo më vonë se pas një viti.”

Sipas udhëzimit administrativ në Nenin 30 tek ‘Deklarimi i stafit akademik për angazhim’ në pikën 1 thuhet se “Institucionet e Arsimit të Lartë duhet të dorëzojnë deklaratat e stafit akademik të angazhuar jo më larg se data 31 tetor.”

Gjatë procesit të verifikimit, KShC ka shqyrtuar dokumentacionin e profesorëve të cilët kishin deklaruar të dhënat e tyre në platformën ‘e-Akreditimi’ sepse në Nenin 30, pika 3 thuhet se “Vetëm stafi akademik i deklaruar dhe aprovuar nga AKA, do të konsiderohet në procesin e akreditimit/riakreditimit për vitin pasues akademik dhe stafi akademik i deklaruar dhe aprovuar nga AKA për programet ekzistuese në kuadër të procesit të monitorimit”.

Këto vendime të KShC-së, shtyrën gjashtë rektorët e universiteteve publike që të dalin me një deklaratë të përbashkët, e mes tyre edhe rektori i USHAF-it Agron Bajraktari, të cilët kërkuan që të shkarkohen anëtarët e KShC-së dhe të shfuqizohen vendimet e tyre, me arsyetimin se KShC kishte favorizuar universitetet private në krahasim me ato publike, dhe se vendimet për tërheqje dhe refuzim të akreditimit kishin si prapavijë ‘politikën’ e ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi për mbylljen e universiteteve të reja publike.

Pas kësaj deklarate nga Konferenca e Rektorëve, KShC kishte reaguar ndaj tyre duke iu thënë se s’kishin plotësuar kriteret, andaj edhe kishin dhënë nga një shembull për secilin nga këto universitete se përse nuk iu ishin akredituar ato programe.

‘Lufta’ e rektorëve vazhdoi edhe më tutje në Komisionin parlamentar për Arsim në të cilin kërkuan që të plotësohen kërkesat e tyre, por nuk gjetën mirëkuptim.

Ky komision u takua edhe me KShC-në për të kërkuar sqarime rreth vendimeve të tyre, por anëtarët e KShC-së kërkuan që këto universitete të dërgojnë ankesa në Komisionin për Ankesa në AKA nëse mendojnë që janë bërë shkelje.

Pas takimit që patën KShC-ja me Shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ku ajo u ofroi mbështetje anëtarëve të Këshillit në vendimet e tyre, Konferenca e Rektorëve njoftoi se që nga 29 janari do të jenë në grevë të përgjithshme deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ku mes tjerash shtuan edhe kërkesën për shkarkimin e ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Përveç Shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Këshillin Shtetëror të Cilësisë po e mbështetë edhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell dhe ai i Gjermanisë, Christian Heldt.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për zhvillimet që kanë rezultuar nga mbledhja e 61-të e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, vendimet e të cilit ngritën reagime të shumta.

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Ferizaj24:

Përmbajtjet që i merr Ferizaj24 nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Ferizaj24 botohet në www.ferizaj24.info dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.