Sukseset e klubeve emblematike të sportit ferizajas kanë arritur majat e tabelave në rang kombëtar dhe ndërkombëtar.
I tillë është edhe suksesi i Klubit të Futbollit Ferizaj, i cili ka shënuar një rekord të ri në sportin e futbollit, atë të 7 fitoreve radhazi.
Për këtë qëllim, sot në zyrën e të parit të qytetit dhe sallën e Kuvendit të Komunës, kryetari i Komunës, Agim Aliu, priti në takim kryetarin e KF Ferizaj Mustafa Grainca, kryetrajnerin Bylbyl Sokoli dhe drejtorin e klubit, Nadir Haxhimusa.
Kryetari Aliu tha se ky sukses është një rekord në futbollit ferizajas, ku nga fundi i renditjes tabelore, Ferizaj ka arritur të dalë në top 5-shen e klubeve të futbollit në kuadër të Ligës së Kosovës.
Ai tha se kjo është rezultat i punës së jashtëzakonshme të kryesisë së klubit, kryetarit, kryetrajnerit dhe lojtarëve që me djersën e tyre mbrojtën me shumë nder fanellën dhe ngjyrat e KF “Ferizaj”.
“Ne asnjëherë nuk e llogarisim që jemi mbështetës të mjaftueshëm, karshi asaj pjese dhe mundi, kontributi që ju keni dhënë, por mbi të gjitha dëshirojmë që futbolli i Ferizajt të ketë vendin e duhur, vendin meritor. E kam thënë edhe gjatë futjes në Superligë, që ne kemi një ëndërr dhe ëndrra jonë duhet të bëhet realitet sepse Ferizaj e meriton, unë besoj se dëshmia më e mirë është loja që ju keni zhvilluar, që ju keni bërë diçka çfarë edhe e pamundur nëse është dukur është bërë e mundur, sepse një ekip që ka qenë e parafundit në tabelë, të shënojë 7 fitore radhazi që besoj se është rekord dhe shumë e vështirë të arrihet në këtë nivel”, tha Aliu.
Kryetari i KF Ferizaj, Mustafa Grainca, tha se tash ky ekip nuk do të luftojë për mbijetesë, por synon vetëm titullin e kampionit.
Me dhuratën e veçantë që kishin përgatitur për kryetarin e Ferizajt, Agim Aliu, lojtarët dhe drejtuesit e KF Ferizaj, fanellën me numrin e fitores, numrin 10, si dhe fotografinë e përbashkët kujtim nga ky takim përfundoi edhe ky aktivitet.