Kohët e fundit fansat e muzikës në Kosovë po entuziazmohen me lajmin e ardhjes së mundshme në Kosovë të këngëtares me famë botërore, Shakira.
U tha se këngëtares në fjalë i është bërë ftesë zyrtare nga Komuna e Mitrovicës për të performuar në përurimin e urës së Ibrit në Mitrovicë, për të cilën ende as datë të saktë nuk ka.
Një diskutim mbi këtë çështje është bërë javë më parë edhe nga i pari i Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, njëherësh të dy drejtues të Aleancës Kosova e Re [Pacolli kryetar dhe Bahtiri nënkryetar].
Vazhdimisht në media është thënë se ende nuk ka konfirmin për ardhjen e këngëtares, dhe se përveç saj, janë edhe disa emra të tjerë të famshëm që përflitet se mund të vijnë.
Në një prononcim për Telegrafin, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se ai personalisht është kujdesur që t’i nisë ftesën këngëtares, megjithëse janë ende në pritje, pasi diçka konkrete nuk ka.
“Jemi në negociata me menaxhmentin e këngëtares, ne i kemi drejtuar shkresë zyrtare asaj, dhe jemi duke pritur përgjigje. Z. Pacolli gjithashtu ka shprehur gatitshmërinë për të mbështetur këtë projekt në të gjitha mënyrat”, tha Agim Bahtiri për Telegrafin.
Duke qenë se nuk ka ndonjë datë se kur do të ndodhë përurimi i Urës së Ibrit, apo të ashtuquajturës “Ura e Paqes”, vihet në pikëpyetje të madhe edhe vendi se ku do të performojë këngëtarja, në rast se ajo pranon të vijë.
Duke qenë një hapësirë e vogël, dhe vështirë mjaftueshme për të improvizuar një koncert, pyetjet e menjëhershme opsionale që drejtohen nga qytetarët, por edhe mediat, janë nëse Komuna ka menduar për zhvendosjen e koncertit në një hapësirë më të madhe si ajo e stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë, apo ndonjë hapësire tjetër gjetiu.
Në doza të rezervuara, i pari i Mitrovicës e vazhdoi bisedën e tij për Telegrafin, duke thënë se përderisa ende nuk është konfirmuar gjithçka, detaje të tilla nuk janë menduar.
“Sa i përket koncertit, nuk e kemi detajizuar se ku do të mbahet, pasi jemi në pritje të konfirmimit. Në momentin që do të marrim dritën jeshile nga menaxhmenti i Shakirës se ajo do të vijë këtu, atëherë, patjetër se do të hartojmë edhe planit se ku do të mbahet koncerti”, tha tutje Bahtiri.
Një tjetër detaj shumë i përfolur ka qenë edhe kostoja e shpenzimeve që mund t’i kushtojnë Komunës me prurjen e një ylli botëror këtu, megjithëse Bahtiri thotë se këngëtares në fjalë, në shkresën zyrtare që ai ka bërë, i ka kërkuar që të vijë pa pagesë, në emër të paqes.
“Unë personalisht i kam dërguar shkresë zyrtare, duke i kërkuar të vijë në promovim, pasi kjo urë do të njihet si ‘Urë e Paqes’, dhe si këngëtare e njohur ndaj bamirësisë, presim dhe shpresojmë që ajo të vijë këtu”, përfundoi Bahtiri për Telegrafin.
Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, megjithëse në udhëtime zyrtare jashtë vendit, thotë se ai dhe ekipi i tij po merren me këtë çështje, duke bërë përpjekje maksimale që Shakirën vërtet ta sjellin në vendin tonë.
“Me këtë gjë po merren një pjesë e ekipit tim, të cilët merren gjithnjë me çështjet në fjalë dhe menaxhmentët e muzikës. Ata janë në bisedime. Këto ditë është zhvilluar edhe një takim mes përfaqësuesve të mi dhe menaxhmentit të saj, dhe ende jemi në negociata për mundësinë e prurjes së saj këtu”, tha Behgjet Pacolli për Telegrafin.
I pyetur nëse opsioni i ardhjes pa pagesë të Shakirës në Kosovë është i mundshëm, ai tha se një gjë e tillë mbetet dëshirë e kryetarit të Komunës, por që është vështirë e mundshme, ngase ka kostot e veta, megjithatë do ishte i gatshëm që së bashku me donatorët të bëjnë të pamundurën për ardhjen e saj.
“Ardhja e saj pa pagesë është një dëshirë e shprehur nga kryetari Bahtiri, por unë nuk besoj se mund të ndodh diçka e tillë, pasi çdo gjë ka koston e vet. Mirëpo, ne jemi të gatshëm që në bashkëpunim edhe me donatorët, të përmbushim çdo aspekt ekonomik, që të mundësojmë ardhjen e saj në Kosovë”, thekson Pacolli për Telegrafin.
Shpenzimet që mund të përkojnë me ardhjen e këngëtares në Kosovë përfshijnë ato të akomodimit të stafit të saj të gjerë, orkestrën, pajisjet skenike, sigurinë dhe transportit, megjithëse për këtë fundit, Ministri i Punëve të Jashtme, thotë se është i gatshëm të shprehë gatitshmërinë e tij, duke ofruar aeroplanin e tij privat, njëlloj siç ka bërë me rastin e ardhjes në Kosovës të këngëtareve shqiptare me fame botërore: Rita Ora dhe Dua Lipa.
“Edhe nëse është këngëtarja ajo që vendos të vijë pa pagesë, ka plot shpenzime që duhet mbuluar menaxhmentin e saj, duke llogaritur këtu orkestër dhe gjithë stafin e nevojshëm. Ndërkohë për udhëtimin nuk është edhe shumë problem, pasi si për Duan dhe Ritën, jam i gatshëm që të ofrojmë udhëtimin me aeroplanin tim privat”, ka përfunduar Behgjet Pacolli për Telegrafin.
Përndryshe, kanë kaluar dy vite që nga fillimi i punimeve për revitalizimin e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, në bazë të marrëveshjes së arritur më 25 gusht 2015, mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, që përkon me lirinë e lëvizjes.
Telegrafi ka provuar të kontaktojë edhe me menaxherët e medias për Evropë të këngëtares Shakira, për të pyetur rreth kësaj çështje, por të njëjtët kanë refuzuar të përgjigjen. /Telegrafi/