Ferizaj aktualisht është as në tokë dhe as në qiell, për faktin se ende nuk janë të organizuar si duhet dhe kanë edhe disa borxhe të pashlyera për futbollistët, tha një burim brenda klubit. Ndërkaq, drejtori i klubit, Nadir Haxhimusa, konfirmoi për gazetën kombëtare “Bota sot”, se gjithçka do të rregullohet brenda 2-3 ditëve dhe sipas tij, po vijnë ditë të mira për klubin.
Ai paralajmëron vazhdimin e kontratave me futbollistët dhe me trajnerin Afrim Tovrëlani. Ai e pranon se fillimi me vonesë i përgatitjeve ka ardhur më shumë për shkak të moskoordinimit si duhet, por tani premton se nuk do të lejojë vonesa të tilla si ndodhën gjatë verës. “Brenda dy-tri ditëve ose gjatë javës së ardhshme, do të koordinohemi dhe do të sjellim edhe përforcime, do të vazhdojmë kontratat me futbollistët dhe me trajnerin. Do të organizohemi, do të mobilizohemi dhe të jemi të përgatitur.
Me punën e trajnerit jemi shumë të kënaqur, por që nuk kemi mundur mia plotësuar kërkesat para fillimit të kampionatit të ri, kur kishim filluar përgatitjet me vonesë të madhe dhe kjo vonesë ka qenë edhe shkaktarë i mosarritjes së rezultateve. Jam i kënaqur me disiplinën dhe angazhimin e lojtarëve, aq sa kanë pasur mundësi kanë dhënë maksimumin, kur dihet se me vonesë filluam përgatitjet”, thotë Haxhimusa. A do të privatizohet klubi? “Për momentin klubi është shoqëror”, përgjigjet drejtori. Flitet se klubi iu ka dy paga borxh futbollistëve? “Po, një muaj gjysmë muaj ua kemi borxh, por bordi janë mobilizuar dhe do t’i kryejmë të gjitha obligimet që kemi para vitit të ri. E kemi ndërmend te përforcoheni, në secilin repart, por më shumë në mesfushë dhe në sulm”, tha Haxhimusa.
Sipas tij, kanë sponsorët më të fuqishëm: “Sponsorët i kemi më të fuqishmit që ka qyteti. Sponsorët më të fuqishëm janë në bord dhe besoj se për dy-tri ditë do të rregullohen gjërat, kështu me 5-6 janar kemi planifikuar t’i nisim edhe përgatitjet për pjesën pranverore”, përfundoi Haxhimusa.