Pesëmbëdhjetë raste të trafikimit me qenie njerëzore, kanë qenë vetëm në vitin 2018. E shtim të rasteve ka pasur me rastet që kanë të bëjnë me prostitucion.
Organizata për të Drejtat e Njeriut, konsideron se kohëve të fundit Kosova po gjeneron viktima të trafikimit me qenie njerëzore, duke i stimuluar kështu trafikantët për këtë veprim, me dënime jo të ashpra.
Tash e sa vjet, shqetësim i madh për vendin vazhdon të jetë trafikimi me qenie njerëzore. Pre e këtij krimi, në numër të madh kanë qenë fëmijët.
Në një intervistë për KosovaPress, shefi i sektorit qendror të hetimit të trafikimit me qenie njerëzore, Riza Murati, ka treguar për numrin e personave të trafikuar gjatë vitit 2018.
“Në krahasim me vitin e kaluar ku kanë qenë të identifikuara 32 viktima të trafikimit, këtë vit i kemi 15 deri më tani, që po shpresojmë që të mos rritet ky numër, por të jenë këto viktima, aq sa janë identifikuar në vitin 2018….Kemi shtim të rasteve të tjera që kanë të bëjnë me prostitucion, lokaleve me prostitucion, mundësinë për prostitucion. Në total kemi të arrestuar 244 persona për vepra të ndryshme që i potencova, për vepra të ndryshme penale, ndërsa vetëm trafikim me qenie njerëzore janë persona të dyshuar 29 persona”, tha ai.
Murati për KosovaPress tregon se gjatë vitit 2018, janë mbyllur në tërësi 84 lokale, ku është dyshuar se po ushtrohet veprimtari e kundërligjshme. Vendet ku është ushtruar më shumë kjo veprimtari, kanë qenë Prishtina, Ferizaj, Mitrovica, Peja dhe Prizreni.
Kryetari i Komisionit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, thotë se kjo dukuri është krim dhe forma më e rëndë e shkeljes së të drejtave të njeriut. Ai ka shtuar se për fat të keq, Kosova tani më po gjeneron viktima të trafikimit.
“Kosova ka qenë vend i destinimit të këtyre qenieve të trafikuara, pra kuadri i të trafikuarve ka qenë nga shtete tjera. Ndërkaq, për fat të keq tash Kosova po gjeneron, viktima të trafikimit nga vet banorët e Kosovës, do të thotë edhe ashtu, siç thashë edhe më herët, gjendja ekonomike është përcaktuese edhe për vet viktimat që trafikohet nga radhët e qytetarëve të Kosovës, të të dy gjinive. Realisht nuk është marrë shumë seriozisht pas përfundimit të luftës kjo dukuri sepse në vendet ku ka pasur krizë, ku ka pasur luftë, kjo në një mënyrë llogaritet si një gjendje normale për fillim, mirëpo me kalimin e kohës, me rritjen e rasteve është ngritur edhe shqetësimi”, tha Shala.
Shala thotë se edhe dënimet nuk kanë qenë të larta, ani pse ky është një biznes, me qenie njerëzore. Ai ka kërkuar që politikat ndëshkimore të jenë më të ashpra.
Dukuria më e shpeshtë është edhe prostitucioni, e cila sipas Riza Muratit zhvillohet më së shumti në sallone të masazhave.
Zyrtarja për media në Administratën Tatimore të Kosovës, ka treguar se sa prej tyre janë mbyllur gjatë këtij viti.
“Inspektorët tatimorë gjatë këtij viti për sa i përket kryeqendrës ka identifikuar 55 pika të qendrave të masazhave, ku 12 prej tyre janë joaktive, ndërsa dy janë mbyllur. Përveç që këto qendra duhet t’i ndjekin kërkesat të cilat dalin nga legjislacioni tatimorë, përveç regjistrimit, pajisjes me numër fiskal dhe të tjera, janë të obliguara njëkohësisht të pajisen me arka fiskale, do të thotë nga ky numër që është 55, minus 12 prej tyre që janë joaktive, 28 prej tyre kemi arritur që t’i fiskalizojmë”, tha ajo.
Gjatë këtij muaji, Policia e Kosovës, në një rast për një sallon masazhi, ka arritur të arrestojë një zyrtare të ATK-së, e cila dyshohej se në vazhdimësi kishte keqpërdorur autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit. E po ashtu ka ndihmuar të dyshuarit tjerë në kryerjen e veprave penale ku dyshohet se ka kryer edhe veprën ‘Ushtrim i ndikimit’.
Bytyqi Sefa ka thënë se ATK tash më ka marrë të gjitha masat ligjore ndaj personit në fjalë. Ndërsa, tash me këtë rast janë duke u marrë Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica tha se në projektligjin që do të nxjerrin gjatë vitit të ardhshëm, do të përcaktohen edhe ofrimi i shërbimeve për këto viktima të trafikimit.
“Koncept dokumenti që ne kemi miratuar ka të bëjë me ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare që trajton qytetarë, viktima, qoftë të dhunës në familje, qoftë të trafikimit me qenie njerëzore, qoftë të dhunës tjetër që mund të ekspozohet. Me projektligjin që do ta nxjerrim në vitin e ardhshëm do të ketë qartë adresimin e përgjegjësive. Realisht ka pasur një paqartësi ndaj adresimit të shumë çështjeve, ofrimit të shërbimeve. Në këtë rast ofrimit të shërbimeve për këtë kategori dhe ne jemi përpjekur brenda mundësive tona, që të gjitha këto kategori të cilat janë prekur nga dhuna, çfarë do qoftë ajo dhunë t’i trajtojmë”, tha ai.
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari ka thënë për KosovaPress, se kjo veprimtari ushtrohet si shkak i çështjeve ekonomike dhe sociale. Ai ka shtuar se për shkak të mungesës së një pune ose jete të mirë, të rinjtë me raste, detyrohen që të përfshihen në këto fenomene.
“Shqetësimi ynë mbetet si Institucion i Avokatit të Popullit dhe fokusi kryesor mbetet problemi i fëmijëve që trafikohet, për shkak se nuk ka asnjë zgjidhje ligjore, sepse këta fëmijë zakonisht shfrytëzohen ose qytetarë të Republikës së Shqipërisë të cilët pastaj sillen në Kosovë, në të njëjtën kohë nuk ka një koordinim ndër institucional se si të veprohet me ta”, ka përfunduar Jashari.
E në numër të madh, trafikimi me qenie njerëzore mund të fillojë me mashtrim për një jetë më të mirë, që përfundon në mungesë të lirisë dhe shkelje e të drejtave themelore të fëmijëve dhe të njeriut.