fibra1 560x416 - Fibra dhe drithëra integrale për të mbajtur larg diabetin, infarktin dhe kancerin

Fibrat dhe drithërat integrale janë ndër përbërësit ushqimorë më të shëndetshëm. Konsumimi i ushqimeve që i përbajnë fibrat si p.sh. familja e bishtajoreve, apo drithërat integrale na ndihmon për të parandaluar sëmundje të rënda si diabeti, kanceri, infarkti dhe iktusi. Një konkluzion i tillë ka dalë nga një studim i kryer nga Universiteti i Otagos, i botuar së fundmi në revistën shkencore “Lancet”.

Ky studim që ka marrë mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë konsiston në rishikimin e 185 studimeve të tjera, në të cilat janë përfshirë 135 milionë njerëz.

Sipas studiuesve, çdo 8 gramë më shumë fibra të konsumuara në ditë lidhen me reduktimin rreth 5-27% të incidencës dhe vdekshmërisë për shkak të sëmundjeve si infarkti, diabeti, kanceri i zorrës së trashë.

Po ashtu, këto lëndë shtojnë mbrojtjen ndaj iktusit dhe kancerit të gjirit. Për të përfituar nga dobitë e fibrave, duhet të konsumojmë rreth 25-29 gramë në ditë. Ndërkohë, 15 gramë më shumë drithëra integrale në ditë shmang me 2-19% rrezikun e infarktit, diabetit dhe kancerit të zorrës së trashë.

Autorët theksojnë se efektet pozitive në organizmin tonë vijnë nga fibra natyrale që gjenden në ushqime (fruta, perime, bishtajore dhe drithërat) dhe jo nga suplementet e fibrave që shiten nëpër farmaci.


www.foxshop-ks.com