Edhe pse ka 20 ditë që ka hyrë në fuqi Udhëzimi administrativ për caktimin e formës dhe përmbajtjes dhe përdorimit të flamurit mbi origjinën e produktit, bizneseve iu është dhënë afat që deri më 1 shkurt t’i vendosin ata pranë produkteve, për të treguar vendin e origjinës.
Në të kundërtën, Inspektorati i Tregut në Ministri të Tregtisë dhe Industrisë ka paralajmëruar se pas kësaj date do të ketë dënim nga 1 mijë euro deri në paraqitje në gjykatë, e që gjoba për këtë të fundit mund të arrijë deri në 20 mijë euro.
Udhëzimi administrativ përcakton rregullat lidhur me vendosjen e kësaj etikete që tregon flamurin e shtetit të origjinës së mallrave.
“Flamuri i origjinës së produktit duhet të vendoset afër çmimit të shitjes apo çmimit për njësi jo më larg se 1 centimetër nga çmimi i produktit; Madhësia e flamurit që tregon origjinën e produktit të shtetit duhet të jetë në madhësi proporcionale me çmimin e produktit”, thuhet në dy paragrafët e parë të nenit të katërt.
Aty thuhet se “origjina e produktit të importuar përcaktohet nga autoritetet doganore”.