Lebibe Topalli-Shabani u lind në Ferizaj, më 4.7.1981. Shkollën fillore e të mesme i kreu në vendlindje, Fakultetin e Arteve – dega Pikturë në Universitetin e Tetovës, më 2004. Në vitin 2008 diplomoi në nivel master, në Universitetin e Prishtinës – dega e Pikturës në klasën e prof. dr. Sabedin Etemi, shkruan sot “Koha Ditore”.
Me të mbaruar fakultetin, më 2004 filloi punën si arsimtare e lëndës së artit figurativ në shkollën e mesme të ulët “Gjon Serreçi” në Ferizaj.
Me iniciativën e saj, kërkesa për hapjen e një shkolle të mesme artistike të artit figurativ në Ferizaj, që i ka munguar këtij vendi, u realizua më 2016, dhe ajo u transferua profesoreshë në shkollën e mesme të arteve “Çesk Zadeja”.
Sot vazhdon punën si profesoreshë e pikturës me kl. X dhe XI në këtë shkollë.
Si studente e si artiste Topalli u veçua me angazhimet e aktivitetet e saj artistike brenda dhe jashtë vendit, ku prej 2011-2015 qe nënkryetare e shoqatës së artistëve figurativë “Zef Kolombi” në Ferizaj. Prej vitit 2015 deri më 2017 qe kryetare e kësaj shoqate, me ç’rast u shqua me punën dhe angazhimin e saj e të shoqatës.
Më 2016 themeloi festivalin ndërkombëtar të muraleve “Mural Fest”, me ç’rast nga këshilli organizativ i këtij festivali ajo u zgjodh drejtoreshë ekzekutive, pozitë të cilën e mban edhe sot. Ka realizuar 7 ekspozita personale e shumë të tjera kolektive. Në dhjetor të vitit 2016 u shpall “Artistja e vitit” dhe mori çmimin komunal “Finesa”.
Topalli-Shabani është personazhi i kësaj jave që rrëfehet në rubrikën e përjavshme “7 Shkronjat” në “E diela e Koha Ditore”.
Karakteristikat si person temperament dhe e ngutshme, dukshëm reflektohen edhe në artin tim. Edhe një e vërtetë tjetër është që çdo artist personalizohet në veprën e tij, lexuesit e artit lehtë mund të dinë për karakterin tim edhe pa më njohur, sepse ekspresiviteti i brushës e i ngjyrës në pëlhurë dallohen haptas.