Komuna e Ferizajt ka bërë përgatitjet e duhura për shënimin e 11-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Sipas drejtoreshës për Kulturë, Rini dhe Sport, Xhemile Murati-Shabani aktivitete për shënimin e kësaj ditë do të mbahen nën përkujdesen e kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.
“Aktivitetet fillojnë nga data 14 shkurt me koncert të fëmijëve nga grupi muzikor Kromatika me fillim nga ora 17:00 në teatrin “Adriana”, ndërsa me 15 shkurt në teatrin “Adriana” në ora 20:00 do të shfaqet shfaqja “Hanibali i Nëntokës””, ka thënë drejtoresha Murati-Shabani.
Ndërsa të shtunën, me fillim nga ora 11:00, do të mbahet turnir në hendboll nga veteranët e KH “Kastriotit” në Palestrën e sporteve “Bill Clinton”, ndërsa nga ora 14:00 në teatrin “Adriana” mbahet koncert për fëmijë. Në orën 18:00, në Galerinë e Artëve shfaqet ekspozita kolektive nga Shoqata e Artistëve Figurativ “Zef Kolombi”, ndërkaq në ora 20:00 do të reprizohet shfaqja “Hanibali i Nëntokës”.
Dita e festës do të fillojë me homazhe në varrezat e dëshmorëve në ora 10:00, akademia solemne fillon më ora 11:00 në teatrin “Adriana”, si dhe në fund do të shfaqet një koncert në teatrin “Adriana” nga shkolla e muzikës “Çesk Zadeja”, në ora 18:00.