Sot në Ferizaj bashkëjetesa fetare është një shembull për të gjithë. Besimtarët e të dy anëve nuk kanë asnjë problem mes vete, dhe kështu e bëjnë këtë oborr të vetmin në Evropë, shumë kurioz dhe tërheqës për ta parë nga afër. Kisha dhe xhamia janë shënjestra kulturore e Kosovës, për shumë studentë e turistë të huaj, të cilët magjepsen me bashkëjetesën dhe tolerancën fetare mes tyre
Ferizaj, qyteti i krijuar më së voni në Kosovë, që kur është ndërtuar stacioni hekurudhorë në vitin 1873. Ky qytet është i vendosur në pjesën jugore të Kosovës me një popullsi mbi 108.690 banorë. Ky qytet karakterizohet nga dy fenomene të jashtëzakonshme, të cilat janë të vetmet në Evropë, dhe si degë e Kosovës gjenden në Ferizaj. Bifurkacioni dhe toleranca fetare, e përshkruan më së mirë gjeografinë dhe historinë e këtij vendi, të kërkuar nga shumë studiues e turistë.
Bifurkacioni në qytetin e Ferizajt, respektivisht Bifurkacioni i lumit Nerodime është një fenomen natyror i ndarjes së lumit në dy degë dhe derdhjes në dy dete. Ndërsa një tjetër fenomen shumë i rëndësishëm dhe i vetëm poashtu në Evropë, janë edhe objektet e dy besimeve fetare në një oborr, në qendër të qytetit.
KISHA DHE XHAMIA
Kisha Ortodokse dhe Xhamia në Ferizaj janë në një oborr mbi 80 vjet. Historia e kësaj ngjarje nuk është e pastër siç është sot toleranca mes vete të ferizajasve, pasi ndërtimi i kishës nuk është bërë me dëshirë të muslimanëve. Në fillim ka qenë vetëm xhamia në atë pjesë, mirëpo gjatë viteve 1928, serbët e morën me dhunë një pjesë të oborrit të xhamisë, dhe e ndërtuan kishën. Duke e njohur regjimin serb, ishte e pamundur të kundërshtohej kjo edhe pse atë kohë nuk ka qenë aspak e mirëseardhur për besimtarët muslimanë, mirëpo nuk janë pyetur fare rreth kësaj teme.
Për dallim nga ajo kohë, sot në Ferizaj bashkëjetesa fetare është një shembull për të gjithë. Besimtarët e të dy anëve nuk kanë asnjë problem mes vete, dhe kështu e bëjnë këtë oborr të vetmin në Evropë, shumë kurioz dhe tërheqës për ta parë nga afër. Kisha dhe xhamia janë shënjestra kulturore e Kosovës, për shumë studentë e turistë të huaj, të cilët magjepsen me bashkëjetesën dhe tolerancën fetare mes tyre.
BIFURKACIONI
Lumi i Nerodimës buron në Bjeshkët e Jezercit, (një fshat në afërsi të Ferizajt) dhe ndahet pakthyeshëm në dy degë, të cilat kanë derdhje në dy dete të ndryshme. Dega veriore derdhet në lumin Sitnicë dhe vazhdon rrugëtimin në lumin Ibër, Moravë dhe përmes Danubit derdhet në Detin e Zi, ndërsa ajo jugore përmes lumit Lepenc dhe Vardarit derdhet në Detin Egje, shkruan Gazeta Metro.
Kjo dukuri është e rrallë jo vetëm në trojet tona por edhe jashtë kufijve, duke u cilësuar si fenomeni i vetëm në Evropë. “Bifurkacioni” sot në Ferizaj shfrytëzohet edhe si vend pushimi, pasi ka shumë vizitorë nga e gjithë Kosova dhe më gjerë, vijnë për ta shijuar nga afër këtë vend shumë interesant i cili ka rëndësi të madhe edukativo-arsimore, shkencore dhe turistike. Madje është vizituar nga shumë studiues, gjeograf, historian, hidrolog, gjeolog etj. Bifurkacioni i lumit Nerodime nga viti 1979 është vënë nën mbrojtje ligjore si rezervat special i natyrës. Sipërfaqja e tij e mbrojtur është 12.78 ha.