Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, nga 1 marsi ka lansuar fushatën vetëdijesuese “Vendose rripin, për sigurinë tuaj”.
Fejzullah Mustafa, nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka sqaruar se fushata vetëdijesuese “Vendose rripin, për sigurinë tuaj”, do të zgjatë gjatë tërë muajt mars.
“Një nga faktorët kyç për sigurinë në komunikacion është vendosja e rripit të sigurisë, vendosja e rripit është një kulturë. Sikur gjatë vozitjes të vendoseshin rripat e sigurisë, do të kishim shumë më pak viktima në komunikacion”, tha Mustafa në televizionin publik.
Sipas tij, në Kosovë nuk ka ndonjë statistikë sa për qind e vozitësve e përdorin rripin e sigurisë, por mund të thuhet se kjo përqindje është shumë e vogël.
“Ne duhet të dimë se në automjet nuk bartim armiq por familjar e miq, prandaj duhet kujdes dhe përmbajte rregullave të vozitjes. Prindërit duhet të kenë kujdes që fëmijët ti ulin në karrigen e mbrapse, në ulësen me rrip sigurie”, tha ai.
Mustafa edhe njëherë bëri apel te vozitësit, që të vënë rripin e sigurisë, njëherësh bëri me dije se nga sot fillohet me shqiptimin e gjobave për vozitësit që nuk i respektojnë rregullat.