Përfaqësuesit e bizneseve të Ferizajt kanë mbështetur nismën e ekzekutivit lokal për të vendosur rregull në orarin e punës së veprimtarive afariste dhe të tjera në territorin e Ferizajt.
Ata, së bashku me asambleistë të Kuvendit të Komunës dhe qytetarë të tjerë diskutuan mbi Draft Rregulloren Komunale për përcaktimin e orarit të punës së veprimtarive afariste dhe veprimtarive të tjera në territorin e Komunës së Ferizajt.
Përveç të dielës që të gjithë u dakorduan që duhet të jetë ditë pushimi, ata patën edhe sugjerime sa i përket punës në ditët e festave zyrtare.
Përfaqësuesit e bizneseve u shprehën të gatshëm që unanimisht ta zbatojnë këtë përcaktim të orarit përmes kësaj rregullore që si synim ka mbështetjen e vet bizneseve dhe punëtorëve të angazhuar në këto biznese.
Drejtuesit komunale thanë se ky dokument është i pari i këtij lloji që përfshinë të gjitha llojet e veprimtarive duke përcaktuar orarin e punës së tyre.
Sipas tyre, kjo nismë është në dobi të biznesit dhe të drejtave të punëtorëve, referuar edhe kërkesës nga një numër i konsiderueshëm i bizneseve ferizajas që patën parashtruar që dita e diel të jetë ditë pushimi për bizneset.