Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu mblodhi sot drejtorët e drejtorive komunale në mbledhjen e rregullt javore. Pika të diskutimit në këtë mbledhje ishin një varg temash të qeverisjes lokale, përkatësisht në drejtoritë komunale. Drejtorët e drejtorive komunale njoftuan të parin e Ferizajt, Agim Aliu për ecurinë e punës në zbatim të platformës qeverisëse si dhe hapat që po ndërmerren në planin afatshkurtër në përmbushjen e objektivave të punës.
Ata bënë të ditura edhe pikat që kanë përgatitur për seancën e radhës të Kuvendit të Komunës dhe përgatitjet për dëgjimet buxhetore për hartimin e projekt-buxhetit 2020-2022 të cilat do të fillojnë qysh nesër.
Ndër vendimet më të rëndësishme që mori ekzekutivi lokal, në mbledhjen e sotme ishte edhe vendimi për pezullimin e dhënies së lejeve të ndërtimit, saktësisht për objektet e banimit kolektiv, si masë efektive që do të mundësoj mirëplanifikimin e territorit dhe ndërtimet sipas kritereve dhe standardeve më të larta në këtë fushë.
Kryetari Aliu i vendosur në këtë nismë tha se për herë të parë, pas 20 viteve, Komuna e Ferizajt po merr këtë hap, këtë vendim të domosdoshëm për të frenuar keqplanifikimin e territorit dhe për t’i dhënë mundësi që me analizë paraprake të projektohen zonat dhe kushtet e ndërtimit.
Tema tjera që zunë vend në këtë diskutim mes të parit të Ferizajt, Agim Aliu dhe drejtorëve komunal ishte edhe Raporti i Auditorit të Përgjithshëm, i cili do të prezantohet në Kuvend në seancën e radhës që planifikohet të thirret ditëve në vijim.