Skuadra e Ferizajt, pasi u privatizua duke rënë në duart e pronarëve anglez, ka konfirmuar se nga dita e nesërme do t’i nis përgatitjet për edicionin e ri, shkruan Zëri.info.
Ferizaj ka njoftuar se përgatitjet nisin nga ora 17:00 megjithatë nuk ka dhënë asnjë informacion se kush do t’iu prijë stërvitjeve.
Ditë më parë trajneri Bylbyl Sokoli që e udhëheqi Ferizajn në edicionin e kaluar, pati thënë se ende nuk ka marrëveshje, derisa ka kritikuar për vonesën për fillimin e stërvitjeve.
“Nesër skuadra jonë do të fillojë stërvitjet për sezonin e ri. Stërvitjet do të fillojnë prej orës 17:00 tek stadiumi me bari sintetik (Mbrapa Salles se Sportit Bil Clinton). Në stërvitje nesër do të jenë shumica e futbollistëve që ishin pjesë e klubit tonë edhe në sezonin e kaluar. Nesër fillojmë me përgatitje që të jemi sa më të organizuar për sezonin e ri. Ndërsa gjatë ditëve në vazhdim do të prezantojmë edhe disa përforcime të reja, të cilët janë të njohur për futbollin vendor”, thuhet në njoftimin e Ferizajt.
Meqenëse Ferizaj do t’i fillojë nesër stërvitjet, Zëri.info ka kontaktuar me trajnerin Bylbyl Sokolin, për të mësuar nëse ai ka arritur ndonjë marrëveshje me klubin.
Megjithatë, trajneri i mirënjohur kosovar thotë se për fillimin e stërvitjeve të skuadrës as që është i informuar.
“Nuk jam i informuar për këtë”, tha shkurt Sokoli.