Ka gati një vit, që në Ferizaj disa persona dyshohen se po shesin substanca narkotike në qendër të qytetit.
Në hapësirën e stacionit të trenit në këtë qytet, banorët thonë se lirshëm po bëhet shit-blerja e narkotikëve, fenomen që po shënon rritje, raporton KTV.
Banorët, të cilët nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, kanë pohuar për televizionin se në një hapësirë publike kanë parë persona të cilët po shesin gjëra të dyshimta, e që mund të jenë substanca narkotike.
Në disa video, të siguruara nga Kohavisioni, shihen disa të rinj të cilët dyshohen se po shpërndajnë narkotikë gjatë ditës.
Rastin e ka paraqitur në polici disa herë Bujar Gurgurovci. Ai shton se të njëjtit nuk po marrin masa.
E shqetësuar me këtë gjendje është edhe shoqëria civile në këtë komunë, e cila thotë se rinisë po i ofrohen haptas dukuritë negative, për çka shteti nuk po merr masa.
Deri më tash, sipas tyre, institucionet komunale dhe ato të sigurisë kanë heshtur karshi kësaj problematike.
KTV-ja ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Policia në Ferizaj, por ata nuk kanë pranuar të flasin për rastin.