auto mbyll2915751144321 560x416 - Mbyllen 5 kafene në Ferizaj për mosrespektim orari dhe mungesë dokumentacioni

Inspektorati i Komunës së Ferizajt ka nisur një aksion për t’i kontrolluar bizneset që nuk e respektojnë orarin e punës. Ky aksion ka rezultuar me mbylljen e pesë kafeneve në rrugën “Besim Rexhepi” dhe janë shqiptuar dhjetëra procesverbale.

Në kuadër të këtij aksioni janë kontrolluar edhe punëtorët e kafeneve derisa shumica prej tyre nuk i kanë poseduar librezat sanitare kundër sëmundjeve ngjitëse.

Po ashtu, ky aksion ndaj kafeneve është mbështetur edhe nga njësia e Policisë kundër trafikimit me qenie njerëzore. Në kuadër të këtij aksioni Inspektorati i kësaj komune ka iniciuar dhjetëra procesverbale edhe ndaj bizneseve të tjera të cilat nuk po e respektojnë orarin e punës dhe po i shkelin të drejtat e punëtorëve. Sipas zyrtarëve komunalë, këtij aksioni po i kontribuojnë edhe vetë qytetarët dhe punonjësit nëpër biznese të ndryshme afariste.

Ridvan Berisha, shef i Inspektoratit në Komunën e Ferizajt, ka thënë se aksionet e tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen derisa t’i shqyrtojnë të gjitha kërkesat dhe ankesat e qytetarëve.

“Nuk mund të ketë ndonjë kërkesë apo ankesë nga qytetarët që ne nuk e shqyrtojmë, madje qoftë nëpërmjet një e-maili, SMS-je apo thirrjeje telefonike për parregullsitë apo shkeljet që ndodhin brenda territorit të kësaj komune. Biznesin të cilin e kemi filluar ka rezultuar me mbylljen e pesë kafeneve dhe janë shqiptuar gjoba administrative. Qëllimi i mbylljes përveç mosrespektimit të orarit, punëtorët e tyre nuk kanë as libreza sanitare dhe një varg parregullsish të tjera. Ne kemi bashkëpunim edhe me OJQ-të dhe qytetarët të cilët na njoftojnë vazhdimisht për shumë parregullsi, andaj kërkojmë që edhe në të ardhmen të ketë njoftime të tilla”, ka thënë Berisha. Sipas tij, aksioni ndaj kafeneve është mbështetur edhe nga Policia kundër trafikimit me qenie njerëzore.


www.foxshop-ks.com