Përmes një njoftimi për media KEDS dhe KESCO bëjnë me dije se kanë siguruar energjinë e mjaftueshme për furnizim me energji elektrike, në kohën e ndërrimit të moteve.
“Të njëjtën kohë mobilizimi i KEDS-it është në pikën më të lartë. Madje, kemi angazhuar edhe kontraktorë që secila situatë eventuale e papritur të evitohet sa më shpejt”, thuhet në njoftimin për media. Megjithëkëtë KEDS-i apelon tek të gjithë konsumatorët që të bëjnë kursim maksimal të energjisë elektrike që të ketë furnizim sa më stabil në këtë periudhë festive.
“Në kohën e mbretërimit të temperaturave të acarta një numër i madh i qytetarëve po ngrohen me energji elektrike. Si rrjedhojë, kërkesa vazhdimisht është mbi 1000 Megavatë/orë. Ky veprim të njëjtën kohë po krijon tejnxehje të aseteve dhe mbingarkim të tyre, sidomos në disa zona të caktuara. Më të prekurat mbesin Fushë Kosova, Ferizaj, Malisheva dhe pjesërisht Prizreni e Suhareka”, thuhet në njoftim.