re 730x4401 1 560x416 - Versioni i Policisë për rrahjen e Arbër Ismajlit: Refuzoi kontrollin, më pas i gjetëm drogë

Një ndalesë për kontroll rutinor në orët e vona të 6 janarit kishte eskaluar në një përplasje verbale e fizike në mes të një qytetari nga Ferizaj dhe disa zyrtarëve policorë. Kjo pasi që i njëjti që gjendej në makinën e ndaluar nga Policia, kishte kërkuar që kontrolli i sigurisë t’i bëhej në stacion. Policia thotë se qytetari kishte bërë rezistencë verbale e fizike.

Arbër Ismajli nga Komogllava e Ferizajt gjatë ditës së djeshme ka thënë se është keqtrajtuar nga policët e Njësisë Speciale. Në një bisedë për Gazetën Express, Ismajli kishte thënë se është rrahur nga policia vetëm pse kishte kërkuar që të kontrollohej në stacion policor dhe jo në rrugë.

Megjithatë sot në një përgjigje për Express, togeri i Policisë në Ferizaj, Agim Gashi ka dhënë një version tjetër.

Gashi ka thënë se mbrëmjen e 6 janarit zyrtarët policorë kishin ndalë për kontroll makinën ku gjendej edhe Arbër Ismjali, dhe pasi kishin kontrolluar dokumentacionet u kishin treguar se do t’iu bëhej edhe kontroll sigurie.

Një kërkesë të tillë, sipas Gashit, e kishte kundërshtuar Ismajli i cili gjendej në makinë me 3 persona të tjerë. Ai thotë se Ismajli kishte refuzuar t’i nënshtrohej kontrollit të sigurisë edhe pse një gjë e tillë i ishte kërkuar tre herë nga zyrtarët policorë. Një rezistencë e tillë fillimisht verbale e fizike, shton Gashi,më pas kishte detyruar policinë që të përdorin taktikën e prangimit duarthatë.

“Me datë 06.01.2020 rreth orës 22:40 ,në fsh.Komogllavë, nga zyrtarët policorë është ndalur një veturë me targa lokale për kontrollë. Pas kontrollimit të dokumentacionit ,janë njoftuar personat në automjet (katër persona) se do të bëhet një kontrollë sigurie .Njeri na pasagjerët(Arber Ismajli) menjëherë ka filluar të kundërshtojë fillimisht në mënyrë verbale dhe pastaj edhe fizike si dhe nuk ka zbatuar urdhrat e zyrtarëve policorë të cilat ju kanë përsëritur tre here. Zyrtarët policorë janë detyruar ta përdorin teknikën duarthatë të prangimit përkundër rezistencës nga ana e tij”, ka thënë Gashi për Gazetën Express.

E pas kontrollit, tek Arbër Ismajli është gjetur edhe një sasi e substancave narkotike, gjë për të cilën edhe është hapur rast në gjykatë.

“Gjatë kontrollimit te personi në fjalë është gjetur një sasi e substancave narkotike ,me të cilin rast janë marrë Njësia kundër trafikimit me substanca narkotike dhe është hapur rast për gjykatë”, ka thënë sqaruar Gashi.

Gjithashtu togeri i Policisë së Kosovës në Ferizaj ka thënë se një raport i detajuar rreth përdorimit të forcës në këtë rast është përpiluar dhe është dërguar në Departamentin e Përgjithshëm të Policisë në Prishtinë.

“Lidhur me veprimet policore është përpiluar Raporti mbi përdorimin e forcës dhe i njëjti raport është përcjellur në Komisionin për përdorimin e forcës në DPP Prishtinë” , ka shtuar ai.

Ndërkohë Agim Gashi ka konfirmuar se Arbër Ismajli ka paraqitur një ankesë ndaj zyrtarëve policorë dhe e njëjta është përcjellë në IPK.

“Qytetari Arbër Ismajli ka paraqitur ankesë ndaj zyrtarëve policorë dhe e njejta në kohë të paraparë ligjore është përcjellur në Inspektoratin Policor të Kosovës”, ka përfunduar togeri Agim Gashi.


www.foxshop-ks.com