Prokurori i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, Rasim Maloku është kërëcnuar sërish.
Lajmin e ka konfirmuar Zyra e kryeprokurorit të Shtetit, ku thotë se nëpërmjet një mesazhi telefonik Maloku ka pranuar sërish kërcënime me likuidim fizik të familjarëve të tij.
.“Këto kërcënime serioze ndaj prokurorit Maloku vijnë si rrjedhojë e veprimeve të ndërmarra nga ai gjatë ushtrimit të detyrave si prokuror”, thuhet në njoftim.
Zyra e kryeprokurorit të Shtetit qëndron fuqishëm afër prokurorit Maloku, duke ia ofruar mbështetjen e plotë për punën dhe përkushtimin e tij, në ushtrimin e funksionit kushtetues dhe ligjor në hetimin dhe ndjekjen e kryeseve të veprave penale”, thuhet në reagimin e Zyrës së kryeprokurorit të Shtetit.
Ndërkaq, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar duke dënuar fuqishëm kërcënimin e vazhdueshëm të prokurorëve, specifikisht Malokut.
“Këto kërcënime të vazhdueshme ndaj prokurorit janë plotësisht të papranueshme dhe kanë për qëllim që të mbjellin frikë te prokurorët dhe familjet e tyre, si dhe bëhen me qëllim që ata të ndihen të pasigurt në ushtrimin e funksioneve të tyre kushtetuese dhe ligjore. U bëjmë thirrje organeve të sigurisë që këtë rast ta trajtojnë me seriozitetin më të lartë dhe të gjitha ata të cilët qëndrojnë prapa këtyre kërcënimeve t’i nxjerrin para drejtësisë”, përfundon reagimi i KPK-së.