Komuna e Ferizajt, nëpërmjet një shkrese, ka kërkuar nga qytetarët e komunës t’i denoncojnë zyrtarët komunalë të cilët nuk e respektojnë orarin e punës. Për këtë çështje, kryetari i kësaj komune, Agim Aliu, me një shkresë zyrtare i është drejtuar edhe punonjësve të administratës komunale, Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare përfshirë QMF-të, AMF-të, Qendrës për Punë Sociale, Brigadës së Zjarrfikësve dhe institucioneve të tjera në vartësi të komunës.
Në anën tjetër, ndaj shkresës së Aliut ka reaguar Rrjeti i OJQ-ve “Avonet” i cili monitoron institucionet publike në këtë komunë.
Sipas kësaj OJQ-je, shumica e institucioneve publike tashmë e kanë të vendosur sistemin e kontrollit në mënyrë digjitale për hyrje-dalje të zyrtarëve publikë, madje shumica e institucioneve e kanë edhe sistemin e kamerave dhe rojet fizike, andaj sipas kësaj OJQ-je, fillimisht orarin e punës duhet ta respektojë vetë kryetari Agim Aliu, raporton “Koha Ditore”.
Në komunikatën e komunës rreth kësaj çështjeje, midis të tjerash thuhet se nga fillimi i javës së ardhshme do të nisë së zbatuari masa shtesë me efekt në disiplinën e punonjësve të Komunës, për të pamundësuar zyrtarët publikë që në orar të punës, të dalin e frekuentojnë ambiente jashtë qëllimit zyrtar, në dëm të shërbimeve për qytetarët.
“Ndonëse e kontrolluar vazhdimisht, disiplinës së punonjësve të administratës komunale, i pari i Ferizajt, Agim Aliu i shtoi edhe një masë të re. Të gjithë zyrtarët komunalë dhe të institucioneve në vartësi të Komunës, të cilët nuk respektojnë orarin zyrtar të punës, pa arsye zyrtare, do të ndëshkohen në pagë dhe do t’i shqiptohet masë disiplinore”, thuhet në komunikatën e komunës.
Më tej thuhet se Aliu inkurajon dhe fton qytetarët që të bëjnë denoncimet e tyre. “Komuna e Ferizajt po shqyrton të gjitha mundësitë ligjore e financiare që për denoncimet e tyre, qytetarët të shpërblehen”, thuhet në komunikatën e komunës.
Aty thuhet se legjislacioni në fuqi e rregullon fushën e shërbimit civil, andaj, sipas Aliut, kjo ka për qëllim rritjen e disiplinës në administratën komunale, rritjen e efikasitetit në ofrimin e shërbimeve për qytetarët, ruajtjen e dinjitetit të institucionit, përgjegjshmërinë e punonjësit në institucione publike etj.
“Që nga data 24.02.2020 do të nisë së zbatuari kontrolli i hyrje-daljeve të punonjësve të administratës komunale, përmes mbikëqyrjes elektronike dhe direkt të vijueshmërisë në punë. Punonjësit që gjatë orarit të punës gjenden jashtë objektit të komunës, pa arsyeje e dokument zyrtar që lejon daljen, do të ndëshkohet në pagë dhe masë disiplinore konform disiplinave ligjore në fuqi. Përgjegjës për fshehjen apo moskallëzimin eventual të rasteve do të mbahen edhe drejtorët e drejtorive dhe udhëheqësit e njësive në administratën e komunës”, thuhet në shkresën e kryetarit Aliu.
Ai tha se ky është paralajmërimi i fundit lidhur me këtë çështje, andaj ka inkurajuar të gjithë qytetarët, zyrtarët dhe mbikëqyrësit e punës së komunës së Ferizajt që të denoncojnë rastet e tilla drejtpërdrejt pranë zyrës së Informimit dhe Komunikimit Publik ose në e-mailin zyrtar të komunës, në mënyrë që, siç tha kreu i Komunës, të “mos lejojnë njollosjen e shërbimeve nga zyrtarët të papërgjegjshëm , pjesë e administratës komunale”.
Në anën tjetër, pas publikimit të kësaj shkrese të premten, ka reaguar rrjeti i OJQ-ve “Avonet” duke i sugjeruar kryetarit të komunës Agim Aliu, që ai vetë ta respektojë orarin e punës.
“Së pari, vetë kryetari i komunës Agim Aliu duhet të jetë më efikas në rritjen e performancës së shërbyesve civilë dhe të veprojë në harmoni me ligjet dhe udhëzimet administrative që e obligojnë çdo shërbyes civil se si të verojnë gjatë orarit të punës. Kryetari i komunës duhet ta njoftojë opinionin publik për vizitat e tij jashtë vendit dhe të prezantojë rezultatin e këtyre vizitave, pastaj cilat janë efektet e vizitave të tij jashtë vendit në interes të komunës dhe qytetarëve. Andaj ai së pari duhet të niset nga vetvetja për ta respektuar orarin e punës”, thuhet midis të tjerash në reagimin e “Avonet”-it.
I kontaktuar nga “Koha Ditore”, drejtori i kësaj OJQ-je, Kenan Gashi, ka thënë se kryetari Aliu duhet të marrë masa por jo të nxjerrë shkresa të tilla për zyrtarët komunalë sepse sipas tij kjo i bije vetëm “për t’i hedhur hi syve opinionit publik”.
“Ne e kemi analizuar se kryetari Aliu e ka nxjerrë një shkresë të tillë vetëm se kinse po dëshiron t’i kthej në funksion shërbyesit dhe të marrë masa ndaj tyre, mirëpo ne i themi kryetarit Aliu se duhet të veprojë në harmoni me ligjet dhe udhëzimet administrative që rregullojnë këtë çështje. Andaj, si pasojë e neglizhencës dhe mosqeverisjes së mirë, Aliut nuk i ka mbetur të bëjë asgjë veçse gjëra të tilla”, ka thënë Gashi.
Ai ka shtuar se një shkresë e tillë ka qenë e panevojshme e kryetarit Aliu derisa ekzistojnë mënyrat tjera për ta mbajtur në kontroll secilin zyrtar publik.
“Komuna e ka sistemin e IT-së që hyjnë dhe dalin shërbyesit, pastaj e ka sistemin e kontrollit me kamera dhe me IT, po ashtu e ka sigurimin në hyrje të objektit. Ndaj një shkresë e tillë nuk është dashur fare t’i dërgohej shërbyesve civilë”, ka thënë Gashi.