Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar sot për katër raste të reja me koronavirus në Kosovë, ku një prej tyre rezultoi të jetë nga fshati Bibaj i Ferizajt.
Zëvendësministri i Shëndetësisë Dr. Izet Sadiku, ka deklaruar për Gazetën Shneta se ky rast ka udhëtuar nga Gjermania në Kosovë dhe aktualisht gjendet në karantinën e vendosur në Qendrën e Studentëve.
“Rasti i Ferizajt është në karantinë. Ai ka ardhur nga Gjermania dhe i janë marr mostrat për analiza pasi ka shfaqur simptoma të koronavirusit dhe i njëjti ka dal pozitiv”, ka deklaruar Sadiku.
Sadiku ka bërë thirrje nga qytetarët që të respektohet masa e karantinës për shkak se në këtë mënyrë do të mund të kontrollohet virusi në tërë Kosovën.
“Rastet që janë duke ardhur nga jashtë potencialisht të gjithë mund të jenë të prekur nga koronavirusi. Prandaj është e rëndësishme të vendosen në karantinë dhe kështu do të mund të kontrollojmë rastet pozitive dhe të parandalojmë përhapjen”, ka deklaruar Sadiku.
Ndërkaq tre rastet tjera janë një nga Gjakova dhe dy nga Prishtina.