Gjatë ditës së sotme nuk është përcjellë asnjë mostër për testim në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik nga Ferizaj. Por, në këtë komunë tashmë është krijuar një listë me të gjithë personat të cilët kanë qenë në kontakt me të infektuarit. Lista përmban qindra persona dhe testimi i tyre pritet që të bëhet gjatë ditëve në vijim, raporton Express.
Detaje rreth gjendjes në këtë qytet ka dhënë Kryetari i Komunës, Agim Aliu.
Në një prononcim për Gazetën Express, Aliu ka thënë se lista e krijuar nga komuna tashmë është në dispozicion të IKSHP’së dhe se për ditën kur do të testohen do të vendos ky institucion.
Ai ka treguar se sot nuk është përcjellë asnjë mostër për testim.
“Sot nuk është testuar asnjë person. Por, ne e kemi përgatitur tashmë një listë me personat të cilët kanë pasur kontakt të infektuarit. Lista është shumë e gjerë, ka me qindra persona. Këtë listë ia kemi dorëzuar Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe ata vendosin se kur do të testohen.
IKSHP’ja është në kontakt të vazhdueshëm me ata që janë pjesë e kësaj liste, pra i kontakton cdo mëngjes dhe mbrëmje për të ditur temperaturën dhe nëse kanë ndonjë shenjë tjetër, dhe nëse shfaqin i teston, meqenëse dihet se nuk ka kapacitet që të testohen të gjithë”, ka thënë Aliu.
I pari i kësaj komune ka folur edhe për gjendjen me furnizime me mjete mbrojtëse dhe pako ushqimore.
“Me furnizime qëndrojmë mirë. Nuk kemi mungesë. Jemi në dispozicion të të gjithë të infektuarve për t’i furnizuar me ushqim dhe çkado tjetër që kanë nevojë”, ka thënë Aliu për Express.
Ndryshe, aktualisht në gjithë vendin janë të konfirmuara 377 raste me koronavirus. Deri tani janë shëruar 63 pacientë, derisa kanë vdekur tetë të infektuar me COVID-19, të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.