Ndonëse qershori ka qenë muaji i cili rivlerëson situatën me COVID-19 për mbajtjen e ahengjeve, në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë marr ende ndonjë rekomandim nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës për lejimin e mbajtjes së ahengjeve. Janë pikërisht pronarë të restoranteve dhe bizneseve që lidhen me ahengjet ata që po kërkojnë nga Ministria e Shëndetësisë ndonjë informacion se a do të lejohet mbajtja e ahengjeve sepse siç thonë ata pronotimet e muajit maj dhe gjysma e qershorit janë anuluar ndërsa janë në pritje të lajmit se a do ketë ahengje në muajt korrik dhe gushtë. Derisa ata po presin 15 qershorin se datë të mundshme për lirimin e ahengjeve në anën tjetër Ministria e Shëndetësisë ka lënë të kuptohet se as me 15 qershor nuk do ketë lehtësim të masave për këto veprimtari.
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Armend Zemaj, ka thënë sot se do të jetë vështirë të shkohet me lirimin e masave për veprimtari të tjera përderisa në veprimtaritë e lejuara përgjatë fazës së dytë dhe të tretë të hapjes graduale nuk respektohen masat e marra nga Qeveria e vendit dhe rekomandimet e IKSHPK-së.
“Disa veprimtari të tjera të parapara për t’u rivlerësuar në fazën e III-të duhet marrë më shumë kujdes, për shkak në njërën anë të presionit të madh që vjen prej tyre për t’u liruar, dhe në anën tjetër rrezikut të përhapjes së virusin, pasi që shumica prej tyre kanë të bëjnë me fluks të madh të qytetarëve që gravitojnë në to apo që janë pjesëmarrës dhe në veprimtaritë e lejuara respektimi i masave nuk po ndodh”, tha ai.
Kosova Post në anën tjetër ka kontaktuar me disa biznese të cilët thonë se janë në pritje te një vendimi që lejon mbajtjen e ahengjeve. Sipas tyre ata veçse janë dëmtuar tej mase gjatë kësaj pandemie për faktin se shumë termine janë anuluar ndërsa palët po u kërkojnë kthimin e paradhënies.
Menaxheri i Restaurant ‘Dora Distria’ në Ferizaj, Brendon Nebihu i kontaktuar nga Kosova Post është shprehur i indinjuar me vendimin që Qeveria e Kosovës, po i mban ende të bllokuara bizneset e ahengjeve dasmore, ashtu edhe biznesin tij e shumë biznese që lidhen me ahengjet. Ai tregon se kanë anuluar shumë ahengje, ndërsa problemi po qëndron se klientët e tyre po ua kërkojnë kthimin e paradhënies se pronotimeve.
“ Ne si biznes jemi dëmtuar tej mase gjatë kësaj kohe të pandemisë. Fatkeqësisht tashmë janë anuluar shumë dasma që ishin të pronotuara për muajin prill, maj e qershor, ndërsa nuk dimë ende ndonjë informatë zyrtare se a do të lejohen mbajtja e ahengjeve për muajin korrik dhe gusht, kohë kjo e cila është pothuajse e tëra e pronotuar tash e një vit, ndërsa dasmorët nuk dinë ende nëse do ju lejohet mbajtja e ahengjeve të tyre” u shpreh menaxheri i Restaurant Dora.
Ndër të tjera ai tha se të gjitha bizneset janë dëmtuar financiarisht, mirëpo shumë të tjera tani veçse kanë filluar punën, kurse sallat e dasmave po vazhdojnë ende të dëmtohen.
“ Kjo po ndikon shumë edhe në aspektin financiar sepse, si biznes ne po dëmtoheni çdo ditë e më shumë, andaj kërkojmë nga Ministria e Shëndetësisë lehtësim të masave. Ne e dimë rrezikun nga pandemia Covid-19, por meqë shumë biznese tashmë janë hapur në konform rregullave mbrojtëse jemi të përgatitur të fillojmë punën pas një vendimi për lejimin e tyre nga Ministria e Shëndetësisë. Kemi dëgjuar që mund të jetë 15 qershori si kohë për rivlerësim të hapjes së fazës së tretë po presim në këtë drejtim ndonjë lajmë të mirë” tha Nebihu për Kosova Post
Pikërisht me lejimin apo jo të ahengjeve lidhen edhe biznese tjera. Butiku i Nusërisë ‘Viona’ është njëri nga butikat e nusërisë me të kërkuar në Prishtinë i cili është në pritje të një vendimi nga Ministria e Shëndetësisë. Menaxherja e këtij butiku, Ervehe Krasniqi, thotë se si biznes janë dëmtuar tej mase në këto ditë pandemie. Ajo shpreson ne një vendim të shpejtë në lejimin e ahengjeve sepse siç thotë ajo sezoni i verës është ai i cili mban të gjalla bizneset e sidomos ato të nusërisë, sepse porosit dhe shitja janë më të mëdha në këtë kohë.
“Po presim një lajm të mirë. Jemi dëmtuar jo vetëm ne por gjitha bizneset që lidhen me ahengjet. Urojmë të lirohet mbajtja e tyre sepse unë kam edhe shumë punëtore andaj nuk dua që ta lë dikend pa punë sepse shitja ka rënë dukshëm për shkak të mos lejimit të ahengjeve” tha ajo për Kosova Post.
Edhe Fjolla Llaloshi nga studio e bukurisë “ Studio Fjolla” tregon se sa janë dëmtuar si biznes gjatë kësaj kohe, meqë kishte shumë termine të pronotuara qysh nga viti i kaluar, pra termine që lidhen me dasmat. Edhe pse biznesi i saj ka rifilluar punën me 18 prill, dhe është duke funksionuar mirë me shërbimet që ofrohen aty, ajo pret një lajm të mirë edhe për lejimin e dasmave sepse siç thotë ajo shumë kliente që presin të bëhen nuse gjatë kësaj vere kanë caktuar te ajo terminet për ditën me të veçantë të tyre.
“Ne jemi në pritje, urojmë qe Ministria e Shëndetësisë të marrë vendim për lejimin e tyre, kuptohet nëse janë krijuar kushtet dhe rreziku është larguar. Shpresojmë që te kemi lajmë të mirë në këtë drejtim” tha ajo për Kosova Post.
Edhe Donjeta Dervishi që ka biznesin e saj të ‘Fustaneve me qera Donjeta’, thotë se fatkeqësisht për muajt paraprak ka pasur shumë kliente qe e kanë kontaktuar për anulim të porosive të tyre meqë u janë anuluar dasmat dhe mbrëmjet e maturës që ishin të parapara për muajin prill dhe qershor. Ajo pret një lajm të mirë qe edhe biznesi i saj të rifilloj punën sepse ajo si shumë të tjerë janë dëmtuar financiarisht në periudhën e pandemisë.
“Urojë që ta mposhtim këtë virus dhe të fillojmë punën sa më parë sepse mos lejimi i ahengjeve lidhet kryekëput me biznesin tim dhe shumë tjera, dhe mos lejimi i tyre po na kushton, por mbi të gjitha është shëndeti andaj shpresojmë qe te kemi sa më pak shifra pozitive nga COVID-19 në mënyrë që të rifillojmë punën pa vështirësi të mëtutjeshme” tha ajo.